Kërcënohet firma që ndërton Durrës-Kukës
Menaxheri i firmës "T&T", që kryen punimet për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, është kërcënuar në telefon me pagimin e një shume prej 400 mijë lekësh (të reja). Met Dulla, që mbikëqyr ndërtimin e segmentit Reps-Thirrë, është paraqitur në Policinë e Lezhës, ku ka kallëzuar kërcënimet që i janë bërë nga Nikolin Gjaci. "Gjaci e ka marrë në telefon Met Dullën në muajin tetor të vitit 2007 dhe i ka kërkuar të takohen në superstradën Fushë-Krujë-Lezhë në një lokal. Pasi janë takuar, Nikolin Gjaci i ka kërkuar kallëzuesit që t‘i paguante disa fatura të firmës ‘Morina‘ me vlerë rreth 400.000 lekë. Personi nën hetim i kishte dhënë lëndë drusore firmës ‘Morina‘ dhe këto fatura, të cilat ende nuk ishin shlyer, bënin fjalë për këtë lëndë drusore që i kishte shitur personi nën hetim firmës ‘Morina‘", thuhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila pas disa muajsh hetime ia ka dërguar gjykatës. Sipas saj, Dulla nuk ka pranuar t‘i paguajë këto fatura, pasi nuk i përkisnin firmës së tij. Ai ka kontaktuar me drejtues të firmës "Morina", të cilët sipas kallëzuesit, i kanë konfirmuar se me këto fatura ai nuk kishte punë. Dosja e organit të akuzës vijon më tej se Dulla nuk ka pranuar që t‘i japë 400 mijë lekë Gjacit. Ky i fundit ka këmbëngulur që këtë sasi lekësh t‘ia jepte vetëm Dulla, sepse në të kundërt do t‘i merrte makinën. "Ndodhur përball këtij fakti, Nikolin Gjaci ka kërcënuar Met Dullën, jo vetëm në këtë takim, por dhe më vonë nëpërmjet telefonit. Gjithashtu Gjaci ka kërcënuar punëtorët e firmës ‘T&T‘, duke i penguar ata të punojnë normalisht në ndërtimin e rrugës", thuhet në kërkesën për gjykim. Nga hetimet profesionale të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është arritur të vërtetohet se i dëmtuari Met Dulla nuk ka qenë pronar apo kontraktues direkt me të hetuarin Nikolin Gjaci. Vërtetohet që firma "Morina" kishte për t‘i paguar para të arrestuarit Nikolin Gjaci, siç edhe provohet që këto para kanë filluar t‘i paguhen Nikolinit pas datës së arrestimit të tij.