E Diel, 1 Nëntor 2026

Kostoja e prodhimit në bujqësi, BB: Të ulen tarifat e energjisë

Pas takimit me FMN-në për rishikimin e tarifave të energjisë elektrike, për ERE-n kanë vijuar të tjera diskutime për të njëjtën çështje, kësaj here me Bankën Botërore. Por ndryshe nga Fondi, misioni i BB-së e ndante çështjen e tarifave të energjisë elektrike në dy drejtime.

Kriza

Banka Botërore ka paralajmëruar thellim të krizës në sektorin e bujqësisë, si rrjedhojë e rritjes në kostot e prodhimit, e cila do të ndikojë te çmimet e artikujve kryesorë të konsumit. Duke qenë se misioni i BB-së në vendin tonë kontribuon edhe në sektorin e bujqësisë nëpërmjet projekteve të ndryshme financimi, zyrtarë të saj kanë kërkuar më shumë kujdes te tarifat që aplikohen për subjektet agro-përpunuese. Gjatë takimit të zhvilluar ditët e fundit, me drejtuesit më të lartë të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike (ERE), një mision i BB, kryesuar nga Atsushi Iimi, është njohur me situatën në sektorin e energjisë elektrike, si dhe me mënyrën e vlerësimit të çmimeve dhe tarifave të energjisë elektrike për vitin 2008. Kryetari i ERE-s, Bujar Nepravishta, bëri një prezantim të hollësishëm të situatës elektroenergjetike në vend, si dhe metodologjisë së vlerësimit të çmimeve e tarifave për vitin 2008, në bazë të të dhënave të paraqitura në aplikimin e KESH-it për këtë qëllim, në gusht 2007.

Shqetësimi

Përfaqësuesi i BB-së në takim me ERE-n, Iimi, ngriti shqetësimin lidhur me mbrojtjen e konsumatorëve të agrobiznesit nga çmimet e larta e të paarsyeshme të energjisë elektrike, të cilat "mund të sjellin impakt negativ në efektivitetin e veprimtarisë së tyre, duke e dekurajuar iniciativën investuese në këtë fushë". Ai shprehu interesimin e misionit që përfaqëson, në mënyrë që projektet e BB-së në fushën e infrastrukturës dhe mbështetjes së agrobiznesit të jenë të suksesshme, "duhet që çmimet e energjisë elektrike të jenë të argumentuara në përputhje me metodologjitë përkatëse për të mbuluar kostot e shërbimit dhe kostot e prodhimit e të importit, për një furnizim pa ndërprerje me energji elektrike". Sipas tij, ndërprerjet e energjisë elektrike janë një faktor pengues për investime dhe për pasojë ato kanë një impakt negativ në rritjen ekonomike të vendit.

ERE

Nga ana e saj, kryetari i ERE-s ka shpjeguar faktin se me çmimet dhe tarifat e miratuara për vitin 2008, mbulohen të gjitha kostot e parashikuara nga KESH-i për një furnizim pa ndërprerje të vendit me energji elektrike. Duke vlerësuar situatën shumë të favorshme hidrologjike në vend, ERE deklaroi se nuk shikon asnjë argument që të përligjë një rritje të re të çmimeve për vitin 2008. E vetmja çështje ku palët ranë dakord, lidhej me impaktin negativ që sjellin çmimet e paarsyeshme dhe ndërprerjet e energjisë elektrike mbi zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë në përgjithësi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›