E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, masakrohet me sëpatë roja 36-vjeçar

Roja i një pike gazi është gjetur i vrarë mëngjesin e djeshëm, ndërkohë që policia po punon për identifikimin e autorit. Ngjarja ka ndodhur në Kashar të Tiranës, ku Altin Hoxha është goditur me një sëpatë pas koke. Burimet policore bënë të ditur se për këtë ngjarje të rëndë janë njoftuar mëngjesin e djeshëm. Rreth orës 06:30 policia ka marrë njoftim se pranë një pike për shitje gazi në autostradën Tiranë-Durrës ishte gjetur i vdekur 36-vjeçari Altin Hoxha. Me t‘u njoftuar në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor nga skuadra e vrasjeve, e cila ka nisur punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Nga veprimet e para në vendin e ngjarjes ka rezultuar se vdekja e 36-vjeçarit, i cili punonte roje, kishte ardhur nga një goditje pas koke, që i kishte shkaktuar dëmtime të rënda, nga të cilat ka ardhur edhe vdekja e tij. Fillimisht, grupi hetimor ka dyshuar se ngjarja ishte aksident pa autor, por trupi i pajetë është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në morgun e Tiranës, ku i është nënshtruar një ekspertize mjekoligjore. Nga të dhënat e mjekësisë ka rezultuar se Altin Hoxha ishte vrarë me mjete të mprehta, që mund të jetë sëpatë ose hanxhar. Ndërkohë, po sipas burimeve nga Mjekësia Ligjore, rezulton se vdekja e tij kishte ardhur rreth orës 04:30 të mëngjesit, dy orë para gjetjes së tij. Për të dokumentuar këtë ngjarje të rëndë, grupi hetimor ka vijuar punën duke marrë në pyetje edhe familjarët e viktimës. Deri në orët e pasdites, familjarët janë marrë në pyetje në lidhje me motivet e mundshme të këtij krimi. Sipas dëshmive të mbledhura, Hoxha nuk ka pasur ndonjë konflikt personal. Si edhe netët e tjera, ai ishte nisur për punë, por nuk është kthyer më. Megjithatë, policia ka ngritur disa pista hetimore mbi këtë ngjarje. Burimet thanë për "Shqip" se fillimisht u dyshua se mund të ketë qenë ndonjë vjedhje, por ka rezultuar se magazina e gazit nuk funksiononte prej disa kohësh. Më pas, policia ka marrë në pyetje edhe të njohur të tjerë të viktimës, ku ka ngritur dyshimet se ngjarja mund të ketë ardhur për motive të dobëta. Për këtë arsye, grupi hetimor ka ngushtuar rrethin e të dyshuarve për këtë ngjarje dhe brenda një kohe të shkurtër pritet që të realizojë edhe arrestimin e autorit. Uniformat blu shpjeguan se viktima ishte babai i dy fëmijëve dhe jetonte në Kashar. Prej pak kohësh punonte roje në pikën e shitjes së gazit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›