E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton koeficientet e reja për indeksimin e pensioneve



Jonida Tashi

Miratohen koeficientet e reja të indeksimit për llogaritjen fillestare të pensioneve. Me këto koeficiente do të llogariten vetëm pensionet që caktohen me datë fillimi nga 1 janari i vitit 2008 dhe përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, qeveria, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 32 e 59 të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, vendosi që koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve, sipas viteve, të jenë, si më poshtë vijon: Për vitin 2007 1.00; për vitin 2006 1.04; për vitin 2005 1.02; për vitin 2004 1.12; për vitin 2003 1.10; për vitin 2002 1.09; për vitin 2001 1.14; për vitin 2000 1.07; për vitin 1999 1.09; për vitin 1998 1.05; për vitin 1997 1.22; për vitin 1996 1.09; për vitin 1995 1.37; për vitin 1994 1.32.
Indeksimi
Përveç pagave, qeveria indekson çdo vit edhe pagat për efekt të llogaritjes së pensioneve. Sipas asaj që është përcaktuar tashmë, janë miratuar koeficientet e indeksimit të pagave për llogaritjen fillestare të pensionit që nga viti 1994 deri në vitin 2007. Ligji për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë përcakton se shuma fillestare e pensionit mujor të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit që u jepet të gjithë personave të siguruar caktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa shtesa është 1 për qind për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Përveç kësaj, në këtë dispozitë përcaktohet edhe detyrimi i Këshillit të Ministrave për të indeksuar çdo vit bazën e vlerësimit individual në lidhje me zhvillimin e kontributeve mesatare të paguara. Ky koeficient do të shërbejë edhe për indeksimin e pagës neto mesatare. Metodika e llogaritjes së këtij koeficienti përcaktohet në ligjin e Sigurimeve Shoqërore, ku cilësohet që çdo vit, duke filluar nga data 1 janar, baza e vlerësuar, vjetore, individuale indeksohet me koeficientin që llogaritet si raport i kontributit mesatar për çdo person të siguruar, të mbledhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës. Indeksimi i pensioneve bëhet sipas procedurave dhe koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit përkatës. Ndërsa rillogaritja e masës së pensionit dhe indeksimet bëhen në bazë të pagave të dokumentuara e të paraqitura në dosjen individuale të pensionit dhe mbi të cilat është caktuar masa e pensionit fillestar. Për rillogaritjen e pensioneve rillogaritet baza e vlerësuar dhe u indeksohet paga neto. Paga neto e tri viteve rresht, në dhjetë vitet e fundit të punës, rillogaritet duke përdorur të njëjtat koeficiente indeksimi si edhe për rillogaritjen e bazës së vlerësuar. Masa e re e pensionit, e rillogaritur sipas vendimit, rritet radhazi, sipas përqindjeve të rritjes së pensioneve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave për rritjen e pensioneve. Masa e pensionit që rezulton pas rillogaritjeve dhe zbatimit të rritjeve, është masa përfundimtare e pensionit individual.
Shuma fillestare
Për të llogaritur se sa do të jetë shuma fillestare e pensionit, nevojitet paga mesatare mujore e tri viteve në 10 vitet e fundit të punës, si dhe koeficientet e indeksimit. Kështu, shuma e pensionit llogaritet me 75 për qind të pagës neto mesatare të 3 viteve rresht në 10 vitet e fundit të punës. Këto 3 vite pune shumëzohen me koeficientet përkatëse të viteve që merren për llogaritje. Gjithashtu, specialistët e pensioneve shpjegojnë se koeficientet e indeksimit nuk kanë ndikim për rritjen e pensioneve siç pretendojnë pensionistët, por janë të vlefshme vetëm për personat që dalin për herë të parë në pension. Sipas tyre, indeksimi i pensionit është i vlefshëm për ata persona që dalin për herë të parë në pension, dhe jo për ata që përfitojnë pension dhe pretendojnë për rritje. Ekspertët e pensioneve theksojnë se rritja e pensioneve nuk varet nga këto koeficiente, por nga vendimet që merr qeveria për rritjen e tyre. Llogaritja e pensionit kryhet nëpërmjet masës së kontributeve, të cilat të gjithë pensionistët duhet t’i paguajnë çdo fund viti. Për llogaritjen e pensionit të gjithë pensionistëve u nevojitet që përqindja e rritur për vitet e sigurimit duhet të shumëzohet me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Ky është një nga nenet ku përcaktohet edhe detyrimi i Këshillit të Ministrave për të indeksuar çdo vit bazën e vlerësimit individual në lidhje me zhvillimin e kontributeve mesatare të paguara. Ky koeficient do të shërbejë njëkohësisht edhe për indeksimin e pagës neto mesatare. Në këtë formë mund të bëhet edhe llogaritja nga vetë pensionistët, të cilët do të marrin për bazë, për llogaritjen e pensionit, të njëjtët tregues të vitit pararendës. Llogaritja e koeficienteve do t’i ndihmojë pensionistët për ta llogaritur vetë një pension. Kjo llogaritje është bërë mbi bazën e të ardhurave nga kontributet, të cilat janë të evidentuara sipas bilanceve financiare të viteve 1994-2006 e në vazhdim. Por, një vend të rëndësishëm në skemën e llogaritjes do të zënë edhe të dhënat statistikore të numrit të personave që kanë kontribuar sipas viteve, por edhe masën e viteve në të cilat çdo individ ka dhënë kontribute. Në këtë formë, një pensionist, qoftë mashkull apo femër, do të përfitojë një pension më të lartë duke marrë për bazë masën e viteve në të cilat pensionisti ka derdhur kontributet më të larta.

Koeficientet e indeksimit sipas viteve
Koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve, sipas viteve, janë si më poshtë:
Për vitin 2007 1.00;
Për vitin 2006 1.04;
Për vitin 2005 1.02;
Për vitin 2004 1.12;
Për vitin 2003 1.10;
Për vitin 2002 1.09;
Për vitin 2001 1.14;
Për vitin 2000 1.07;
Për vitin 1999 1.09;
Për vitin 1998 1.05;
Për vitin 1997 1.22;
Për vitin 1996 1.09;
Për vitin 1995 1.37;
Për vitin 1994 1.32.

18 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›