Mjekët protestojnë kundër dhunës, kërkojnë status të veçantë
Emanuela Sako
Mjekët e QSUT-së protestuan kundër dhunës së ushtruar ndaj bluzave të bardha, duke pezulluar operacionet dhe vizitat e përditshme me pacientët. Bluzat e bardha në QSUT kanë pezulluar punën për 3 ditë në shenjë proteste ndaj dhunës dhe ndaj mungesës së një ligji ku mjeku të mbrohet me status të veçantë. Shkak për krijimin e kësaj situate është bërë dhuna e ushtruar ndaj mjekut endokrinolog Agron Ylli, i cili u godit barbarisht nga një qytetar pak ditë më parë. Të gjithë operacionet e planifikuara janë ndërprerë, duke pritur përfundimin e protestës për të rifilluar nga puna. Të gjithë shefat e pavijoneve dhe mjekët e tjerë iu drejtuan Spitalit Ushtarak ku qëndron i shtruar kolegu i tyre, për të zhvilluar protestën në heshtje. Ky është rasti i dytë brenda një viti ku mjekët protestojnë në mënyrë të tillë, por ndryshe nga herët e tjera, ata protestuan në heshtje duke mos bërë deklarata.
Protesta
Protesta e mjekëve filloi me deklaratën e drejtoreshës së QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, e cila dënoi ashpër rastin e ndodhur pak ditë më parë dhe kërkoi nga qeveria hartimin e një ligji ku mjeku të marrë një status të veçantë për mbrojtjen e jetës. Ajo i dënoi këto akte si precedentë tepër negativë, ndaj të cilëve duhet mbajtur një qëndrim distancues dhe kritik nga të gjithë qytetarëve të thjeshtë, apo aktorë politikëbërës, si dhe nga ata që ushtrojnë ndikim të gjerë në opinionin publik. “Nuk është kompetenca ime si drejtuese e QSUT-së që ta shpall grevën, apo ta pranoj atë; ajo drejtohet nga sindikatat dhe bëhet në bazën e një platforme të caktuar”, - u shpreh drejtoresha e QSUT-së, Kuli. Protesta e heshtur e mjekëve filloi në orën 10:00, ku mjekët kanë qëndruar pas derës së dhomës së shtrimit të mjekut Ylli. Ata deklaruan se nuk do të shkojnë në punë gjatë këtyre ditëve, por vetëm sa do të paraqiten në mëngjes në pavijonet e tyre dhe më pas do të largohen në shenjë proteste.
Mbështetja
Mjekët e QSUT-së kanë marrë mbështetjen e bluzave të bardha në mbarë vendin. Protestës së mjekëve do t’u bashkohen edhe mjekët e Elbasanit dhe të Gjirokastrës, të cilët do të ndërpresin punën e tyre për dy ditë. Ata që janë në vështirësi janë pacientët, të cilët kërkojnë kryerjen e vizitave dhe kujdesin ndaj gjendjes së tyre shëndetësore. Atyre do t’u duhet të presin ditën e hënë për të marrë normalisht mjekimin dhe të konsultohen me mjekët. Duket se këtë herë mjekët janë të vendosur për të çuar deri në fund misionin e tyre dhe presin një përgjigje përfundimtare nga institucionet përkatëse dhe për të marrë një status të veçantë, çka do t’u sillte më tepër siguri në punë.
18 Dhjetor 2008