E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten pagat e mjekëve në Spitalin e Durrësit, përfitojnë 700 punonjës

ISKSH-ja rrit pagat për personelin mjekësor në masën 15.7 për qind. Rritje premtohet edhe për spitalet që do të bëhen pjesë e skemës së sigurimeve

Emanuela Sako

ISKSH-ja rrit pagat për 700 punonjës të Shëndetësisë në Spitalin e Durrësit. Rritja e pagave do të bëhet mesatarisht në masën 15.7 për qind dhe efekti do të fillojë në 2009-n. Në këtë rritje përfshihet vetëm Spitali i Durrësit, pasi është i vetmi spital që është përfshirë në shtrirjen e skemës së sigurimeve shëndetësore. Me propozimin e Bordit Drejtues të Spitalit të Durrësit, Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor miratoi rritjen e pagave për mjekët, infermierët dhe stafin mbështetës në Spitalin e Durrësit. ISKSH-ja bën të ditur se propozimi për rritjen e pagave të punonjësve të këtij spitali është bërë në vazhdën e vendimeve të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave të punonjësve në sistemin Shëndetësor. Pjesë e rritjes së pagave do të bëhen edhe spitalet e tjera të rretheve, ku do të vendoset shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore gjatë vitit 2009.
Rritja
Nga ky vendim përfitojnë rritje page 158 punonjës me arsim të lartë, në masën 18.7%, ose me një pagë mesatare prej 57 470 lekësh nga 48 383 lekë që është paga aktuale. Nga kjo rritje përfitojnë edhe 326 punonjës të infermierisë, me një rritje page në masën 16.78%, ose me një pagë mesatare prej 33 652 lekësh, nga 28 870 lekë që është paga ekzistuese. Administrata, e përbërë nga 217 veta personel joshëndetësor, do të marrë një rritje page prej rreth 10%, e thënë ndryshe do të marrë një pagë në shumën e 25 650 lekëve, nga 23 440 lekë që është paga ekzistuese.
Në ndryshimet e reja të pagave për Spitalin e Durrësit është parashikuar edhe pagesa e studimeve të thelluara pasuniversitare për 23 punonjës të këtij spitali. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, deklaroi se nëpërmjet kësaj mënyre mjekët do të motivohen për kryerjen e punës. “Mendoj se kjo shtesë në pagë do të motivojë më tepër stafin e Spitalit të Durrësit, ku aktualisht funksionon skema e sigurimeve shëndetësore. Kjo do të jetë një nxitje gjithashtu edhe për spitalet e tjera të cilat, duke filluar nga 1 janari 2009 do të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore, pasi pagat për mjekët do të jenë në rritje të vazhdueshme”, - u shpreh drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana.
Totali
Në total efektet financiare mujore të rritjes së pagave shkojnë 4256 lekë, nga të cilat 3502 lekë janë fond pagash dhe 754 mijë lekë sigurime shoqërore e shëndetësore. Deri në fund të vitit efekti total i rritjes së pagave për personelin e Spitalit të Durrësit është 21 141 lekë, nga të cilat 17 371 lekë janë fond pagash dhe 3 770 lekë sigurime shoqërore e shëndetësore. Sipas ISKSH-së, ky efekt financiar i rritjes së pagave është i përballueshëm nga buxheti i akorduar për Spitalin e Durrësit për vitin 2008. Ngarkohet ISKSH-ja dhe Spitali i Durrësit për zbatimin e këtij vendimi. ISKSH-ja dhe Ministria e Shëndetësisë do të monitorojnë punën dhe cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.

box
Përfitojnë rritje:
158 punonjës me arsim të lartë
rritja mesatarja ishte
18.7% 57 470 lekë 48 383

326 punonjës të infermierisë
rritja mesatarja ishte
16.78% 33 652 lekë 28 870

217 personel joshëndetësor
rritja mesatarja ishte
10% 25 650 lekë 23 440

box
Është parashikuar edhe pagesa e studimeve të thelluara pasuniversitare për 23 punonjës të këtij spitali.

Në total, efektet financiare mujore të rritjes së pagave shkojnë: 4256 lekë, nga të cilat 3 502 lekë fond pagash dhe 754 mijë lekë sigurime shoqërore e shëndetësore.

Deri në fund të vitit efekti total i rritjes së pagave për personelin e Spitalit të Durrësit është 21 141 lekë, nga të cilat 17 371 lekë fond pagash dhe 3 770 lekë sigurime shoqërore e shëndetësore.

18 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›