Nigeri, arrestohen 20 persona për masakrën e Josit
Autoritetet e shtetit të Nigerisë ngritën zyrtarisht akuzat për 20 persona si përgjegjës të masakrave ndërfetare në qytetin e Josit, masakra këto të ndodhura disa javë më parë.
Lajmi njoftohet prej mediave ndërkombëtare të cilat saktësojnë se disa prej të akuzuarve rrezikojnë edhe dënimin me vdekje.
Mbi 160 persona u vunë nën pranga pasi dyshoheshin si organizatorë dhe pjesëmarrës në masakrat ndërfetare mes të krishterëve dhe muslimanëve në qendër të vendit.
Në këtë masakër të përgjakshme gjetën vdekjen mbi 300 persona. Bëhet e ditur se në javët në vazhdim pritet të ndodhin arrestime të tjera në lidhje me çështjen.
Megjithatë sistemi nigerian i drejtësisë njihet për proçedurat e tij të ngadalta, dhe për t'u njohur me përfundimet e gjykimit duhen pritur muaj, ndoshta edhe vite.