E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haga: Serbia duhet të arrestojë Mlladic e Haxhic

HAGE- Serbia ka përmirësuar bashkëpunimin me Zyrën e Prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY) dhe ka përmbushur pjesën më madhe të kritereve për përfitimin e ndihmave, por aspekti më kritik i bashkëpunimit mbetet kapja e të arratisurve, Ratko Mladiç dhe Goran Haxhiç, thuhej në raportin vjetor të ICTY-së në OKB.
''Kryetari i ICTY-së, gjykatësi Patrick Robinson, i paraqiti sot raportin e tij vjetor Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, raport që mbulon periudhën nga muaji gusht 2008-qershor 2009'', deklaroi sot zëdhënësja e ICTY-së, Nerma Jelashiç, gjatë një konference për shtyp në Hagë.

''Pavarësisht nga disa dështime në disa operacione kërkimesh dhe arrestimesh, profesionalizmi dhe efikasiteti i shërbimeve serbe, të angazhuara në gjurmimin e të arratisurve, është përmirësuar ndjeshëm'', thuhej në raport.
''Kordinimi mes shërbimeve të ndryshme që kanë për detyrë të zbulojnë vendndodhjen e të arratisurve, që është thelbësore, aktualisht është në një nivel më të kënaqshëm krahasuar me një vit më parë'', shtohej në të.
''Sidoqoftë, aspektet më kritike të bashkëpunimit të Serbisë mbeten gjurmimi dhe kapja e të arratisurve, Ratko Mladiç dhe Goran Haxhiç'', thekson ai.
(ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›