E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Si më vodhi mashtruesja ‘amerikane”

Genci Skifteri 45 vjeç, nga Tirana, është një nga personat e shumtë të dëmtuar nga mashtruesja "amerikane" Hanëme Shandori, gruas së arrestuar dy ditë më parë, me akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit. 

Dashamir Biçaku

 Dëshmitari tregon se është i papunë dhe se e ka njohur të akuzuarën për mashtrim nëpërmjet një shokut të tij. Të dy ata së bashku e kishin parë si mundësi për të gjetur një punë dhe për të mbajtur familjen, ofertën që u kishte bërë Hanëme Shandori për t'i punësuar në ambasadën amerikane në Tiranë. I dëmtuari që rrëfen mashtrimin nga e arrestuara, ish-shofer i parkut të Ministrisë së Brendshme, thotë se në të njëjtën formë janë mashtruar së paku tetë shokë të tij, ndërsa gruaja e arrestuar u premtonte punë në ambasadën amerikane dhe viza për në SHBA, kundrejt një pagese të caktuar. Sipas dëshmitarit, e arrestuara nuk i hiqte ndonjëherë syzet e diellit gjatë komunikimit me "viktimat" e saj. Ajo kishte arritur deri aty sa të premtonte nxjerrje kredish, duke dalë ajo vetë garant, kundrejt një shume prej 4 milionë lekësh të vjetra që kërkonte nga "aplikantët". Genci Skifteri, ka pranuar dje të rrëfejë të gjithë historinë e tij me mashtruesen, duke denoncuar veprimet e saj deri tek humbja e parave, që i kishte dhënë të arrestuarës për t'u punësuar në ambasadën amerikane.
Si jeni njohur me Hanëme Shandorin, të arrestuarën që akuzohet se ju ka vjedhur përmes mashtrimit për punësim në aAmbasadën amerikane?
Prej gati dy vitesh, unë jam papunë që kur më hoqën nga parku i Ministrisë së Brendshme, ku kam punuar 15 vite. Duke qenë se isha papunë dhe kam familje për të mbajtur, po kërkoja punë prej kohësh. Një ditë në muajin maj, një shoku im e quajnë Skënder, erdhi në lagje më takoi dhe më tha të bëja gati urgjent disa dokumente për punë. U çudita jo pak, sepse mendova se më erdhi fati i mirë në derë. Më pas iu ktheva Skënderit: Si do të fillojmë punë, ku do të punojmë ? Kam gjetur punë, më tha, do të fillojmë shumë shpejt tek ambasada amerikane. Më pas më tregoi se ishte njohur me një grua, që kishte lidhje në ambasadë dhe se ajo mund të na rregullonte punë, vizë, apo edhe mund të na ndihmonte për kredi, por duheshin lekë që t`ia jepnim asaj. Gjeta ca para borxh dhe shkuam të takonim një ditë të hëne, gruan që kishte premtuar punë, të cilën ne e njihnim me emrin Lume.
Kur e takuat dhe ku?
E takuam tek Stacioni i Trenit, tek një lokal në katin e dytë, ishte ditë e hënë dhe duhej të ishte dhjetëditëshi i fundit i muajit maj. E takuam pasdite rreth orës 19:00. Kisha marrë me vete certifikatë personale e familjare, dëshmi penaliteti, dëftesën e shkollës nuk e kisha, por më tha në tavolinë Lumja se do t'i rregullonte ajo dokumentet që më mungonin. U ulëm në kafe, ajo mori makiato dhe ujë. Biseduam aty për nja një orë, ajo mori prej meje pjesën e parë të lekëve. Para në fakt nuk kisha, por i gjeta borxh e i dhashë 250 mijë lekë të vjetra, më premtoi të më punësonte shofer në ambasadë. Unë kam patentën e klasit të parë, për drejtim të të gjithë llojeve të automjeteve dhe për këtë mendova me shpresë, se vërtet mund të gjeja punë në ambasadë. Pasi mori lekët më tha se, do të më merrte vetë në telefon të më thoshte për intervistën e punësimit dhe u zhduk.
Çfarë ndodhi më pas, si kuptuat që ishit mashtruar?
Lumen e kam takuar edhe dy herë të tjera pas bisedës së parë. Herën e dytë e takova një javë më vonë. Më mori në telefon dhe më kërkoi 4900 lekë të rinj për kontratën e punës. Isha në Laprakë te një miku im, nuk kisha lekë por më ndihmoi ai, mora makinën e tij dhe bashkë me nusen dhe djalin shkova dhe e takova gruan që më kishte premtuar punë, u takuam tek kryqëzimi i Unazës me Procelanin. Ishte në kafe, me syze, ashtu si herën e parë. Asnjëherë nuk i hiqte syzat. Firmosa një kontratë pune me sa mbaj mend, po nuk e mora vesh se çfarë ishte shkruar në atë kontratë. Më tha që data për t'u marrë në intervistë ishte 18 korrik 2008. Prita të më merrte në telefon, pastaj e mora unë. Më tha që jam në spital se jam rrëzuar në shpi. E mora më vonë, në fillim të gushtit, më tha se jam në plazh tek "Xixa" dhe se, tani ambasada është pushim. Në shtator fillojnë.
A mbani mend që e akuzuara për mashtrim të ketë përmendur ndonjë emër apo person konkret, nga "miqtë" e saj në ambasadë?
Jo, asnjëherë asnjë emër. Vetëm se me kë fliste në telefon dhe thoshte që po fliste me shefin. Se cili ishte shefi, unë nuk e pyeta ndonjëherë.
E keni takuar më?
Po e takova para disa ditësh dhe më tha se nuk kishte para. E mora dhe në telefon se kisha babain në spital dhe më duheshin paratë, por më tha se nuk kishte para e s'kishte ku t'i gjente.
A njihni persona të tjerë që janë mashtruar?
Janë disa shokë të mi. Janë tetë persona, të cilëve u ka marrë nga 2 milionë lekë apo edhe 4 milionë, njërit 1 milion e gjysmë. U thoshte që do të punonim në ambasadë, apo se do iu nxirrte vizë. Madje ajo iu pati premtuar se kishte mundësi t'iu nxirrte kredi në një bankë, po për këtë donte 4 milionë lekë vetë dhe ajo dilte garant në bankë për kredinë.
A keni denoncuar në polici?
Jo ende, por pashë në televizor se i janë gjetur në shtëpi disa dokumenteve të miat që i kisha dhënë asaj. Shkova sot (dje) në drejtorinë e policisë dhe më thanë që duhej të takoja dy oficerë të policisë. Më pas takova me një shokun tim, burrin e Lumes (Hanëmes), ishte një tip i shkurtër zeshkan. Kështu na tha të paktën se ishte burri i saj. Na premtoi se do të na jepte lekët. Nuk e di në fakt, por unë nuk kam aq luks sa të hedh poshtë 300 mijë lekë, për një mashtruese.

“Mashtruesja” pranon akuzën: E bëra për përfitime financiare

TIRANE - E arrestuara për vjedhje me anë të mashtrimit, 52-vjeçarja Hanëme Shandori, pranon akuzën e ngritur nga Prokuroria e Tiranës. E pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, e dyshuara ka pranuar se kishte mashtruar dhjetëra persona, se do t'u nxirrte vizë për SHBA dhe do t'i punësonte në ambasadën amerikane në Tiranë, nëse i jepnin 1500 euro parapagim. Menjëherë pas arrestimit ditën e mërkurë, në orët e mbrëmjes e dyshuara është ballafaquar në ambientet e policisë me katër nga 22 personat që ajo akuzohet se ka mashtruar. Të dëmtuarit që kanë dalë si dëshmitarë kanë treguar gjithë skemën e mashtrimit nga 52-vjeçarja. E gjendur përballë këtyre deklarimeve të hollësishme nga personat që ajo vetë i kishte mashtruar, duke u marrë paratë dhe duke mos u gjetur punë, 52-vjeçarja ka pranuar akuzën duke dhënë edhe sqarime të tjera në ndihmë të hetimit dhe dokumentimit të veprimtarisë së saj kriminale. Sipas hetimeve të bëra deri tani, rezulton se e dyshuara për mashtrim e ka filluar aktivitetin e saj rreth katër muaj më parë. Përmes lidhjeve dhe të njohurve të saj ajo kontaktonte me persona të interesuar për punë dhe u premtonte atyre se do t'i siguronte detyra të ndryshme në ambasadën amerikane në Tiranë, madje edhe viza për në SHBA. Pas disa takimeve të përsëritura me viktimat e saj, 52-vjeçarja vazhdimisht u ekspozonte atyre dokumentet e aplikimit për punë për t'u ngjallur besimin derisa u merrte paratë. Më pas ajo nuk përgjigjej në telefon, madje ndryshonte edhe banesat e saj në mënyrë që personat, të cilëve u kishte marrë paratë të mos e gjenin lehtë. Kështu ka ndodhur për rreth katër muaj derisa dy nga të mashtruarit, të cilëve e arrestuara u kishte marrë paratë në ditët e para të korrikut kanë pritur deri pak ditë më parë dhe pasi nuk është realizuar ëndrra e tyre për punë në ambasadën amerikane, por edhe lekët që kishin dhënë nuk kanë mundur t'i marrin mbrapsht, kanë denoncuar të dyshuarën në polici. Burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë se, po verifikojnë pronat dhe pasuritë e të arrestuarës në banka, me qëllim që të bllokojnë shumat dhe t'ua kthejnë ato të dëmtuarve, nëse provohet se e arrestuara ka marrë para prej tyre. Sipas burimeve zyrtare nga hetimi, nuk rezulton që e arrestuara të ketë qoftë edhe një lidhje apo të njohur të saj në ambasadën amerikane, por ajo ka përmendur emrin e këtij institucioni vetëm me qëllim për të nxitur dëshirën dhe entuziazmin e viktimave të saj që t'u merrte paratë sa më parë.                tr.so

Policia gjen dhjetëra dokumente në shtëpi
Menjëherë pas arrestimit të saj nga agjentët e antikrimit ekonomik në policinë e Tiranës, hetuesit kanë bërë një kontroll në banesën ku 52-vjeçarja qëndronte aktualisht. Aty janë gjetur mbi 20 dosje, bosh dhe të plotësuara të mbushura me dokumente aplikimi për vizë ose për punë, por edhe me shkresa të falsifikuara. Të gjitha këto janë bllokuar si prova materiale dhe po analizohen nga Prokuroria e Tiranës, e cila po kryen hetimet kundër të akuzuarës për vjedhje me anë të mashtrimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›