Haga vendos për pavarësinë e Kosovës më 22 korrik
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta japë opinionin e saj këshillues për ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës më 22 korrik. Serbia dhe Kosova kanë marrë dje ftesat zyrtare për seancën e fundit që përfshiu raportet vlerësuese të 31 shteteve, për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Gjykimit, Hisashi Owada do ta lexojë vendimin në një seancë publike të vendosur në orën 15:00 në Hagë. Serbia, Kosova dhe 29 shtete, përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, kanë marrë pjesë në seanca dëgjimore me fjalime, pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e çoi çështjen për shqyrtim në GJND, pas kërkesës së paraqitur nga Serbia. Kosova e deklaroi Pavarësinë nga Serbia në shkurt 2008 dhe që atëherë ajo është njohur si shtet i pavarur nga 69 vende, përfshirë SHBA dhe 22 vende të Bashkimit Europian. Serbia kërkoi shqyrtimin nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara, pasi ajo kërkon me çdo kusht të sfidojë ligjshmërinë e deklaratës së Pavarësisë. Deri më 22 korrik, Serbia dhe Kosova do të përgatiten për hapat e ardhshëm të mbrojtjes së objektivave të tyre në arenën ndërkombëtare. Deri pak kohë më parë, zyrtarë të të dyja shteteve flisnin me optimizëm për vendimin e Hagës, se do të mbështeste qëndrimin e tyre. Por këto ditë, deklaratat zyrtare nga Serbia kanë qenë më të rezervuara, ndërsa ato nga Kosova kanë mbetur në kuadrin e shpresës, por deri diku ka edhe siguri. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, theksoi dje se askush nuk do ta rrëzojë vendimin për Pavarësinë e Kosovës dhe se pavarësia është vullnet i pakthyeshëm i qytetarëve të vendit. Duke folur për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Sejdiu tha se nuk dëshiron ta paragjykojë, megjithatë, sipas tij faktet që i ka ofruar Kosova në këtë institucion nuk mund t’i rrëzojë askush. Gjykata do të japë një vendim jo të detyrueshëm. Që kur është themeluar në vitin 1946, GJND ka dhënë 25 opinione këshilluese, si pjesë e misionit të saj për të zgjidhur mosmarrëveshjet ligjore ndërkombëtare.