E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja rrëzon projektin për fëmijët shqiptarë



Gjykata Kushtetuese në Maqedoni ka rrëzuar vendimin e Ministrisë së Arsimit, se nxënësit shqiptarë duhej ta mësonin gjuhën maqedonase nga klasa e parë fillore, ashtu siç këmbëngulte Ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, i mbështetur nga ekzekutivi. “Abrogimi i vendimit të miratuar kohë më parë ka ndodhur për shkak se në Ligjin për arsim fillor është paraparë që bashkësitë jo shumicë, gjuhën maqedonase duhet ta mësojnë nga klasa e katërt”, konstatuan gjykatësit e Kushtetueses. Sipas tyre, me këtë vendim, Ministri i Arsimit, Nikolla Todorov është përzier në punët e pushtetit gjyqësor. Iniciativën për rrëzimin e këtij vendimi para Gjykatës Kushtetuese e ka ngritur organizata joqeveritare “Realiteti” dhe Rinia Demokratike Shqiptare. Sipas tyre, urdhri i ministrit është diskriminues, pasi detyron nxënësit shqiptarë të mësojnë më shumë gjuhë sesa ata maqedonas. “Vendimi i mëson fëmijët se kush është dominues dhe kush i nënshtruar, pasi nxënësit maqedonas në ambientet me popullsi kryesisht shqiptare nuk parashikohet ta mësojnë gjuhën shqipe”, citon organizata. (INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›