E Diel, 1 Nëntor 2026

Hagë, 4 vende të tjera dëshmojnë sot rreth pavarësisë së Kosovës

HAGË - Në ditën e tretë para Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtësisë në Hagë argumentet e tyre pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës do t'i prezantojnë Azerbejxhani, Belorusia, Bahreini dhe Austria. Të dy të vendet e para janë kundër, ndërsa të dy të fundit pro pavarësisë.

Prej këtyre vendeve, Austria dhe Bahreini janë vendet që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës; Austria më 27 shkurt të vitit 2008, kurse Bahreini më 19 maj të këtij viti.

Dje Shqipëria, Gjermania dhe Arabia Saudite kanë mbrojtur pavarësinë e Kosovës dhe vullnetin politik të popullit të saj, ndërsa Argjentina ka kundërshtuar atë, duke e cilësuar si shkelje të tërësisë territoriale të Serbisë.
Prishtina dhe Beogradi zyrtar ndërkaq që në ditën e parë të seancave dëgjimore, kanë paraqitur secila të drejtën e saj dhe kanë kërkuar nga Gjykata që të marrë një vendim bazuar, në siç, thanë të drejtën e tyre.

Ligjshmëria e shpalljes së pavarësisë së Kosovës u soll përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në tetor të vitit të kaluar, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një Rezolutë të Serbisë me të cilën kërkohej mendimi këshilldhënës i Gjykatës për këtë cështje.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet që në pranverë të vitit të ardhshëm të marrë një vendim në formë të këshillës për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e cila, thuhet se nuk do obligojë asnjërën palë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›