E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë/ Zhvillohet seanca ndaj Karaxhiçit

Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç ka dalë para Gjykatës së Krimeve të Luftës në Hagë, ndërsa po vetëmbrohet, pasi nuk ka pranuar avokat mbrojtës. Ndaj tij janë artikuluar 11 akuza për krime lufte, krime kundër njerëzimit, përfshirë gjenocidin gjatë masakrës së vrasjes rreth 8 mijë burrave dhe djemve në Srebrenicë gjatë luftës në Bosnjë. Radovan Karaixhiçi ka deklarur përpara gjykatësve se ka nevojë për dhjetë muaj të tjerë që të përgatisë çështjen. Gjithashtu ka tensione midis gjykatësve dhe prokurorëve të çështjes që mund të shkaktojnë vonesa, ndërsa pala paditëse po i reziston presionit për t'i hequr atij disa akuza. Gjykatësit duan që të përfundojnë procesin gjyqësor brenda rreth 2 vjetëve, pasi gjykata përfundon punën e saj në 2013 dhe mënyra se si gjykatësit arrijnë të manaxhojnë procesin gjyqësor do të ndiqet me vëmendje. Më herët ka patur shumë kritika mbi procesin gjyqësor ndaj ish presidentit jugosllav, Sllobodan Milloseviç, që përfundoi pa dënim pas katër vjetësh kur ai vdiq ndërsa ishte në paraburgim. Tani detyra e gjykatësve në rastin e Karaxhiçit është që të përshpejtojnë gjërat duke vendosur balancë midis interesave të ndryshme në sallën e gjyqit - atyre që padisin, palës së akuzuar dhe viktimave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›