Koreja e Veriut, gati për bisedime për armët bërthamore
Koreja e Veriut informon se është e gatshme t'i rikthehet bisedimeve ndërkombëtare gjashtë palëshe, lidhur me programin e armëve bërthamore, bën të ditur media shtetërore. Po sipas këtij burimi, ishte lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-il, ai që e ka dhënë një deklaratë të tillë gjatë bisedimeve me kryeministrin kinez Wen Jiabao, i cili po viziton aktualisht vendin. Por ndërkaq Pyongyangu thotë se rikthimi ne negociata do të varet nga progresi i bisedimeve bilaterale të planifikuara me SHBA-në. Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se janë gati të angazhohen me Korenë e Veriut. Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, tha se qëllimi i Ëashingtonit është të bindë Piong Jangun, që të heqë dorë nga programet bërthamore, apo për çmilitarizimin e plotë nuklear të gadishullit Korean. Zëdhnësi tha se ky mbetet objektivi primar, dhe se procesi i bisedimeve shumëpaleshe, ishte mekanizmi më i mirë për ta arritur një gjë të tillë. Koreja e Veriut hoqi dorë nga bisedimet gjashtëpalëshe në fillim të këtij viti dhe më pas zhvilloi një tjetër test bërthamor, pas kritikave të ashpra që shoqëruan provat me raketa, duke sfiduar dhe duke injoruar në këtë mënëyrë thirrjet e ndërkombëtarëve. Bisedimet gjashtëpalëshe që përfshijnë dy Koretë, Kinën, Shtetet e Bashkuara, Japoninë dhe Rusinë, kanë arritur pak përparim gjatë gjashtë viteve.