Jeremiç: Marrëdhënet Rusi-Serbi, më të forta se kurrë
Marrëdhëniet e Rusisë dhe Serbisë janë më të forta se asnjëherë më parë, ndërsa vizita e ardhshme e presidentit rus, Dmitri Medvedev në Beograd, do të ndikojë që këto raporte të jenë edhe më të forta dhe më të plota. Kështu ka deklaruar ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç gjatë një interviste dhënë në Moskë, në fillim të takimit që pati me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov. Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministrat Lavrov dhe Jeremiç, deklaruan se Rusia dhe Serbia janë në mënyrë reciproke partnerë ekonomikë me prioritet. Ndër të tjera Rusia do t'i akordojë Serbisë një kredi që arrin në një miliardë dollarë, në mënyrë të veçantë për të kapërcyer deficitin buxhetor serb, deklaroi ministri rus i Financave, Alexei Kudrine, cituar nga agjencia e lajmeve ''Interfax''. Këtë deklaratë ai e bëri në Stamboll të Turqisë ndësa shtoi se kredia mund të arrijë në shumën e 350 milionë dollarëve, shifër që përveç deficitit buxhetor , do të shërbejë për investime në infrastrukturë. Sipas ekspertit të ekonomisë ruse, shuma e saktë dhe kushtet e kredisë do të përcaktohen më saktësisht brenda dy javëve.