Hagë, aktorja rrëzon dëshminë e Naomit:Mori një diamant të madh nga Taylor
Aktorja Mia Farrou ka dëshmuar dje në Hagë në çështjen kundër ish-Presidentit të Liberisë, Charles Taylor, duke rrëzuar dëshminë e mëparshme të supermodeles Naomi Campbell mbi çështjen e diamanteve. Farrou tha se Naomi kishte përmendur Charles Taylor si personin që i dhuroi asaj një diamant. Prokurorët në Hagë mendojnë se ish-President i Liberisë është fajtor për nisjen e një lufte brutale civile në Sierra Leone, duke përdorur “diamante të përgjakura”. Termi përdoret për diamantet që nxirren në zonat e luftës dhe përdoren për të financuar rebelët dhe lordët e luftës. Gurët kanë nxitur konflikte të përgjakura në Afrikë për më shumë se një dekadë. Dëshmia e Farrou në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara ishte në kontradiktë me atë të Campbell, e cila dëshmoi javën e kaluar. Campbell tha se ajo nuk e dinte nga vinin gurët që ajo kishte marrë dhuratë në dhomën e saj në Pretoria, Afrika e Jugut, natën vonë. Por Farrou tha për prokurorët se: “Ajo tha se atë natë e kishin zgjuar. Disa burra trokisnin në derën e dhomës së saj. Ata ishin dërguar nga Charles Taylor dhe i kishin dhënë një diamant të madh”. Farrou dhe Campbell ishin të ftuara në një darkë të organizuar nga Nelson Mandela në vitin 1997, ku ishte i pranishëm edhe Taylor. Campbell tha se mëngjesin e ardhshëm i kishte treguar historinë e saj Farrout dhe agjentes së saj në atë kohë, Karol Uajt. Në gjykatë Campbell u shpreh se kishte supozuar se gurët ishin nga Taylor, por nuk ishte e sigurt për këtë.