Korçë, sherri për një vajzë mes dasmorësh, 1 i plagosur me thikë
KORçE - Tre persona kanë mbetur të plagosur me thikë, në ngjarje të ndryshme nga njëra-tjetra në rajonin e Korçës gjatë fundjavës. Një i ri nga Floqi i Korçës, pasi plagosi me thikë një 20-vjeçar nga ky fshat, ka terrorizuar edhe banorë të tjerë duke qëlluar më pas me armë automatike për t’u mbrojtur. Policia tha se pas ngjarjes u arrestua 23-vjeçari, Daniel Kodra, nga fshati Floq, për plagosje të rëndë të bashkëfshatarit të tij, Armando Hasankolli. Kanë qenë dy grupe të rinjsh që janë konfliktuar në këtë fshat dhe gjatë sherrit midis tyre, 23-vjeçari ka përdorur thikën. Sipas policisë, ngjarja ndodhi ndërmjet dy grupe dasmorësh nga fshatrat Floq dhe Pulahë, ndërsa shkak i sherrit kishte qenë një vajzë. Policia tha se Kodra i ka shkaktuar dëmtime të rënda për jetën 20-vjeçarit Hasankolli, i cili ndodhet në repartin e reanimacionit në gjendje të rëndë. Pas këtij konflikti, Kodra, sipas policisë ka qëlluar disa herë me armë zjarri automatike për të trembur palën kundërshtare të grupit tjetër të të rinjve. Policia e Korçës bëri të ditur se këtë fundjavë kanë mbetur të plagosur me thikë edhe dy persona të tjerë. Mario Hymetllari, 23 vjeç, është plagosur me thikë në një lokal të fshatit çërravë të Pogradecit pas një zënke për motive të dobëta. Ndërsa në fshatin Drenovë të Korçës është plagosur pas një sherri, 20-vjeçari, Nikolin Dhamo. Të plagosurit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. g.a