Rrëshqitje masive dheu në Kinë, 337 të vdekur
Rrëshqitjet masive të dheut nga shirat e rrëmbyeshëm në Kinë kanë vrarë 337 njerëz, sipas agjencisë shtetërore kineze, “Xinhua”. Rreth 1,148 persona të tjerë janë zhdukur, referuar shifrave të departamentit të policisë në provincën Gansu. Autoritetet raportojnë se 76 persona janë plagosur dhe rreth 45,000 janë evakuuar nga “Zhouqu County”, në pjesën veriperëndimore të vendit. Rrëshqitjet e dheut filluan të dielën në mëngjes, pasi në këtë zonë nisën shira të rrëmbyeshëm. Të dielën pasdite Kryeministri kinez, Uen Jiabao dhe qeveritarë të tjerë kanë mbërritur në rajonet malore për të vëzhguar dëmet. Në luginën Sanyan, rreth 300 shtëpi janë zhytur totalisht në baltë. Ushtria kineze ka përdorur eksplozivë për të liruar zonat e bllokuara. Më shumë se 300 shtëpi janë “varrosur” në fshatin Yueyuan. Shumë njerëz besojnë se numri i saktë i viktimave nuk njihet ende. Ato mund të jenë shumë më tepër sesa thonë shifrat zyrtare. Rreth 600 ushtarë kanë mbërritur në Zhouqu County, 1,700 ushtarë të tjerë dhe një skuadër mjekësore prej 180 anëtarësh janë nisur për në zonat e tjera të prekura nga përmbytjet. Në këto zona, banorët kanë nevojë për 11,023 tonë ujë të pijshëm dhe 551 tonë ushqime në 25 ditët e ardhshme, sipas “Xinhua”.