Hagë, mbahen seancat e fundit të gjyqit ndaj Haradinajt

Ramush Haradinaj
Në Gjykatën e Hagës sot dhe nesër mbahet seanca përmbyllëse e procesit të pjesshëm gjyqësor ndaj ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish-bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, ku prokuroria dhe mbrojtja do të thonë fjalën përfundimtare, për t`i lënë kohën për rreth dy muaj trupit gjykues që të marrë vendimin përfundimtar për këtë rast. Vendimi përfundimtar pritet të merret në fund të muajit gusht ose gjatë muajit shtator.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu bashkua përkohësisht familjes së tij më 10 maj, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për lirim të përkohëshëm.
Gjatë qëndrimit disa javor në Kosovë, Haradinaj shoqërohej nga Policia e Kosovës dhe forcat e EULEX-it, pasi gjykata e liroi atë nën kushte të rrepta, që nënkupton lëvizje të kufizuar dhe që të mos ketë asnjë përfshirje në veprimtari politike, apo paraqitje publike.
Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm në prill të vitit 2008, por Gjykata vendosi për një rigjykim të pjesshëm, i cili filloi në korrik të vitit 2010. Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj akuzohen për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.