E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburg, Berisha në Ansamblenë Parlamentare të KiE-së

Sali Berisha

STRASBURG - Kryeministri Berisha, i cili është nisur sot drejt Strasburgut, do të marrë pjesë po sot në punimet e Ansamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Kjo vizitë bëhet në kuadrin e Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Kryeministri do t`i drejtohet Ansamblesë mbi drejtimet ku do të fokusohet presidenca shqiptare.

Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me Presidentin e Ansamblesë Parlamentare, zotin Jean-Claude Mignon dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, zotin Thorbjørn Jagland.

Nga Strasburgu, Kryeministri Berisha do të niset për në Stamboll, ku nesër do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), në të cilën Shqipëria aderon.

Iniciativa e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi është themeluar në vitin 1992 dhe aty përfshihen 11 vende anëtare: Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Rumania, Rusia, Turqia dhe Ukraina dhe ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit midis vendeve anëtare.    /M.A./

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›