Hagë, përfundon procesi për ligjshmërinë e pavarësinë së Kosovës
Venezuela dhe Vietnami janë deklaruar në favor të qendrimeve të Serbisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në ditën e fundit të seancave dëgjimore në Hagë. GJND-ja pritet që mendimin këshilldhënës ta japë pranverën e ardhshme. Dy vendet kanë dëshmuar në favor të Serbisë dhe kanë përsëritur tezat se Kosova ka shkelur rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e rrjedhimisht edhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Venezuela dhe Vietnami kanë pohuar se e drejta për vetvendosje mund të zbatohet vetëm në rastet e kolonive, ndërsa Kosova nuk e ka këtë të drejtë. Përfaqësuesi i Venezuelës ka theksuar se shqiptarët e Kosovës i kanë gëzuar të gjitha të drejtat në kuadër të Serbisë. Pesëmbëdhjetë gjykatësit e GJND-së, prej të cilëve 8 janë nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe 7 nga ato që këtë nuk e kanë bërë, gjatë 9 ditëve të kaluara kanë dëgjuar argumentet e Kosovës, Serbisë dhe 27 vendeve të tjera. Legjitimitetin dhe ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e kanë mbështetur Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Arabia Saudite, Austria, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Holanda, Norvegjia, Finlanda dhe Jordania. Në mbrojtje të qëndrimit të Serbisë kanë dalë Rusia, Kina, Spanja, Brazili, Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Rumania, Qipro, Venezuela dhe Vietnami. Burundi ka qenë i balancuar, ndonëse nuk ka kontestuar pavarësinë e Kosovës. Pra, 14 vende kanë qenë në anën e Kosovës, ndërsa 12 në anën e Serbisë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka të përcaktuar asnjë afat deri kur duhet të deklarohet, por supozohet se do ta thotë mendimin këshilldhënës dhe jo detyrues, pranverën e vitit të ardhshëm.