E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë, sot përballen Rusia dhe SHBA-ja

 

Në Hagë u zhvillua dita e pestë e seancave dëgjimore për Pavarësinë e Kosovës, ku dy vende raportuan pro dhe dy kundër saj. Por ‘beteja’ më interesante do të jetë ajo mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, dy superfuqi të cilat mbështesin fort vendet rivale, SHBA-Kosovën dhe Rusia-Serbinë. Përfaqësuesit e të dy vendeve do të kenë nga 45 minuta sot për të sqaruar pozicionet e tyre para Gjykatës së Kombeve të Bashkuara. Gjykata nuk do të sjellë vendim mbi Pavarësinë e Kosovës, por brenda disa muajve do të japë një mendim këshillëdhënës. Ndërkohë dje, në prezantimet e katër shteteve, pro shtetësisë kanë dalë Kroacia dhe Danimarka, kurse Kina dhe Qiproja e kanë kundërshtuar Pavarësinë e Kosovës. Mediat komentojnë se argumentet e dhëna nga Kroacia pro pavarësisë kanë ngjallur mjaft interes, pasi ishin ato të një vendi të dalë nga ish-Jugosllavia. Përfaqësuesja e Kroacisë, Andrea Metelko Zgombiq ka thënë se Pavarësisë së Kosovës i ka paraprirë një proces i gjatë politik. Ajo ka theksuar se Kosova është një rast sui-generis dhe si e tillë duhet të vazhdojë të trajtohet. Sipas “Kosovapress”, Zgombiq ka thënë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare dhe se ajo nuk e ka cenuar me asnjë dispozitë të drejtën dhe dispozitat ndërkombëtare. “Që me Kushtetutën e vitit 1974, Kosova ishte njëra nga tetë njësitet federale dhe kishte shumë atribute shtetërore. Edhe Danimarka dëshmoi në favor të Kosovës dhe shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008. Ndërkohë, gjatë paraqitjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Ambasadorja e Kinës në Holandë, Su Hançin duke u mbështetur kryesisht në Rezolutën 1244 ka dhënë vlerësime se me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës është shkelur integriteti territorial i Serbisë. “Rezoluta 1244 ka ftuar për autonomi substanciale të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë ishte shkelje e Rezolutës 1244. Respektimi i integritetit territorial është parim themelor i OKB-së dhe shkelja e këtij parimi gjithnjë ka çuar drejt tensioneve dhe konflikteve”, është shprehur Hançin, duke theksuar se GJND-ja nuk duhet të jetë neutrale rreth kësaj problematike. Në seancë është paraqitur edhe Qipro, përfaqësuesit e së cilës me argumentet e prezantuara ishte në anën e Serbisë, pasi theksuan se secesioni nuk është akt neutral, dhe rrjedhimisht edhe Gjykata Ndërkombëtare në Hagë duhet të deklarohet për këtë çështje. Po ashtu një aspekt tjetër i ngritur nga ky vend ishte edhe fakti se Qiproja e mohon se Kosova ishte rast ‘sui generis’, ndërsa përfaqësuesit e Qipros theksuan se vetëvendosja nuk u takon pakicave, duke i cilësuar si të tillë shqiptarët e Kosovës.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›