E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flakë dhe dhunë në Athinë

 

Athina është përfshirë nga flakët dhe përleshjet mes manifestuesve dhe trupave të rendit në ditën e dytë të protestave. Pas përleshjeve në mëngjesin e djeshëm para Parlamentit, gjatë ditës shpërthyen edhe përleshje para Politeknikut të Athinës. Grupe të rinjsh të maskuar përlesheshin me policinë. Episodet e djeshme të dhunës ishin vazhdim i dhunës që nisi dje para ceremonisë së përkujtimit të njëvjetorit të vrasjes së 15-vjeçarit, Alexandros Grigoropoulos, nga një oficer policie. Trazirat e dhuna kanë vazhduar gjatë gjithë natës të së dielës, duke u gdhirë e hënë. Gjatë përleshjeve të rinjtë kanë hyrë brenda godinës së Politeknikut duke hedhur molotov dhe gurë kundër policisë. Ndërtesa e Politeknikut ishte zaptuar në mënyrë paqësore mëngjesin e djeshëm, bashkë me 400 ndërtesa të tjera, mes të cilave shkolla e fakultete në të gjithë vendin. Pjesa tjetër e shkollave kanë mbetur të mbyllura dje, për shkak të manifestimeve për të kujtuar Grigoropoulos. Dhjetëra të plagosur, sidomos mes agjentëve të policisë, dhe mbi 400 të arrestuar në Athinë, Selanik, Patra, Rodi, Kretë e Janinë ishin bilanci i mbrëmjes. Arrestime të tjera vazhdojnë të kryhen, ndërkohë që për të disatën herë qindra të rinj sulmojnë kordonët e sigurisë të vendosur nga policia para institucioneve. Shtypi grek ka komentuar se incidentet, megjithëse të shumta, janë më pak të rënda nga sa ishte parashikuar. Gjatë përleshjeve të së dielës mbetën të plagosur 25 agjentë, pesë demonstrues dhe rektori i Universitetit të Athinës, i cili ka mbetur i shtruar në spital pasi është plagosur në kokë nga një grup anarkistësh. Partia e ekstremit të majtë, “Syriza” ka akuzuar Ministrin e Rendit Publik, Mikalis Krisokoidis për “militarizim të konfliktit” pasi ka angazhuar një numër shumë të madh të forcave të rendit dhe i ka kërkuar kryeministrit, Jorgo Papandreu të ndërhyjë. Gjatë ditës së dytë të protestave, edhe disa sindikata kanë deklaruar pezullimin e punës për tre orë, për t’i lënë kohë të lirë të gjithëve që të merrnin pjesë në manifestime. Policia greke ka përdorur edhe të hënën gazin lotsjellës për të shpërndarë turmat e të rinjve të maskuar. Rreth 5,000 studentë, punëtorë dhe të majtë marshuan para Parlamentit. Vdekja e adoleshentit në lagjen rebele të Athinës, “Exarchia” më 6 dhjetor të vitit të kaluar ka provokuar trazirat më të dhunshme e problematike të Greqisë gjatë dekadave të fundit, bashkuar ato me pakënaqësinë e madhe të popullsisë për rënien e fortë ekonomike. Demonstruesit bërtisnin “Të gjithë në rrugë dhe jo nëpër ballkone! Policat janë derra, vrasës”. Makina dhe stacionet e autobusit u dëmtuan nga goditjet me gurë të të rinjve. Madje të rinjtë vidhnin edhe portokalle nga pemët në qendër të Athinës, duke goditur policët me to. Me gurë janë sulmuar dhe dyqanet e mbushur me klientë. Por kishte edhe nga ata demonstrues, të cilët nuk e përkrahën dhunën. Të hënën u plagosën dy policë të tjerë dhe u arrestuan edhe 30 të rinj. Në qytetin e Selanikut, policia ka hedhur gaz lotsjellës drejt një grupi të rinjsh të cilët u futën mes rreth 2500 protestuesve të qetë duke nxitur trazira. Qeveria e re greke e Partisë Socialiste ka angazhuar më shumë se 6,000 policë në rrugët e Athinës, duke deklaruar se ishin të vendosur të pengonin përsëritjen e trazirave të dhunshme të vitit të kaluar, që goditën keq kryeqytetin grek, duke shkaktuar miliona euro dëme. Në krahasim me vitin e kaluar, kur protestuesit shkatërruan kryeqytetin për javë të tëra, policia tha se masat që kishin marrë e parandaluan përhapjen e gjerë të shkatërrimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›