Haiti, dhjetë amerikanë në arrest për trafikun e fëmijëve
Dhjetë amerikanë janë arrestuar nga policia haitiane pasi u përpoqën të kalonin një autobus me 33 fëmijë në kufirin me Republikën Dominikane, siç pretendohet, pa dokumentacionin e nevojshëm. Ndalimi i tyre behet vetëm disa ditë pasi Kombet e Bashkuara bënë thirrje për të frenuar rrëmbimin e fëmijëve dhe qeveria haitiane ndërpreu të gjitha proceset e adoptimit për të evituar abuzimet e mundshme. Grupi i amerikanëve që përfshinte pesë meshkuj dhe pesë femra, sipas autoriteteve të Haitit, nuk kishte asnjë dokument për të certifikuar adoptimin e rregullt të 33 fëmijëve, të një moshe nga 2 deri në 12 vjeç. Një nga gratë e arrestuara ka deklaruar se ata janë pjesë të një misioni të quajtur “New Life Children’s Refuge”, (Misioni i shpëtimit të jetimëve haitianë) me qendër në shtetin amerikan, Idaho. Ajo ka mohuar se ajo që po bënin ata mund të ishte paligjshme. Ministri haitian i çështjeve sociale, Yves Cristalin, tha nga ana e tij se kjo çështje ishte absolutisht jashtë kornizave ligjore. “Asnjë fëmijë nuk mund të largohet nga Haiti pa një autorizim të rregullt dhe këta persona nuk kishin asnjë të tillë”, ka thënë ai. Në një deklaratë për agjencinë “Reuters”, Laura Sillsby, gruaja që bën pjesë në organizatën në fjalë, tha nga zyrat qendrore të policisë në Haiti se, “Ishim të autorizuar nga autoritetet e qeverisë së Republikës Domenikane për të çuar fëmijët në një jetimoren tonë që ndodhet në atë vend. Ka një pastor baptist në Port-au-Prince, i cili drejtonte një jetimore që është shembur nga tërmeti, dhe është ai që na kërkoi të dërgonim fëmijët në Republikën Domenikane”, tha ajo. Sipas saj, për të kryer praktikat burokratike ajo do të kthehej në Haiti ditën tjetër. Ndërkohë Kombet e Bashkuara po fillojnë një operacion masiv për shpërndarjen e ushqimeve në kryeqytetin e Haitit, Port- au-Prince, pothuajse tri javë pas tërmetit. Gjashtëmbëdhjetë pika shpërndarëse janë ngritur në qytet, me qëllim që gjatë dy javëve, të marrin ndihma 2 milionë vetë. Programi Botëror për Ushqimin tha se kishte ngritur qendra të palëvizshme për shpërndarjen e ushqimeve që nisën të dielën. Vetëm gratë do të lejohen që të marrin ndihma, pasi sipas organizatës, kjo ka provuar të jetë rruga më e mirë që ndihmat t’u shkojnë atyre që kanë më shumë nevojë. Burrave do t’u kërkohet që të presin jashtë qendrave të shpërndarjes së ndihmave për të shoqëruar gratë pasi të kenë marrë racionet, sepse gratë e pashoqëruara mund të bëhen pre e sulmeve. Organizata Botërore e Ushqimit do të bashkëpunojë me autoritete lokale, që burrat të cilët kanë nevojë për ndihmë, të mos përjashtohen nga procesi. Të shtunën organizata e OKB-së nisi të shpërndajë kuponët e ushqimeve për pikat e shpërndarjes. çdo familje do të marrë 25 kg oriz për dy javë.