E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet e borës dhe shiut izolojnë disa zona vendit

01/02/2010  Reshje shiu ranë në qarqet e përmbytura Shkodër dhe Lezhë. Situata në gjithë qarqet
TIRANE- Temperaturat e ulëta dhe reshjet e rëna gjatë orëve të fundit kanë vështirësuar lëvizjen e banorëve në disa prej akseve rrugore kombëtare dhe rurale. Drejtoria e Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Brendshme ka bërë të ditur se reshjet e shumta të shiut nuk kanë kursyer edhe dy qarqet e Shkodrës dhe Lezhës, në të cilët situata e përmbytjeve ende nuk është përmirësuar normalisht. Mësohet se niveli i reshjeve në Shkodër ka shkuar në 125 milimetra, në një kohë kur ka ende 1800 hektarë tokë të përmbytur, si dhe rreth 78 shtëpi të rrethuara nga uji. Ndërsa për sa i përket qarkut të Lezhës, sasia e reshjeve ka arritur në 57 milimetra. Ndërkohë që reshje të shumta dëbore dhe temperatura të ulëta janë shënuar në rrethin e Pukës, Kukësit, Korçës dhe Dibrës. Aktualisht të bllokuara janë komunat Kala e Dodës, Lurës në rrethin e Dibrës dhe komunat Otren dhe Trebisht, në Bulqizë. Ndërsa në Pukë, mbetet e bllokuar vetëm rruga për në komunën Iballë. Në rrethin e Pukës ka pasur dhe vazhdojnë të bien reshje bore dhe shiu të shoqëruara me temperatura të ulëta. Aktualisht rrugët janë të kalueshme, me vështirësi dhe në disa segmente është i detyrueshëm përdorimi zinxhirëve, si në rrugën Qafë Mali-Qafë Shllak-Kukës-Morinë dhe në rrugën Qafë Mali-Fierzë. Në qarkun e Kukësit janë të bllokuara rrugët për në komunat Arren, Gryk Çaje dhe Zapod. Në Malësinë e Madhe të gjitha rrugët për në qendrat e komunave janë të kalueshme nga automjetet, por në disa raste nevojitet përdorimi i zinxhirëve, si në akset rrugore për në komunat Vermosh, Kelmend, Shalë dhe Shosh. Nga fryrja e lumit Ishëm dhe lumit Tërkuzë në bashkimin e tyre, në afërsi me fshatin Mërqin, komuna Bubq në qarkun Durrës, ka dalje të ujit në parcelat bujqësore dhe në një banesë uji ka prekur edhe oborrin e saj. Situata normale paraqitet në qarkun e Korçës, ku në segmentin rrugor Qukës-Qafë Thanë, drejtuesit e mjeteve duhet të qarkullojnë me zinxhirë. Pikërisht në këtë qark Drejtoria rajonale e Rrugëve ka mbajtur në gatishmëri borëpastrueset, të cilat nuk kanë lejuar për as edhe një moment bllokimin e rrugëve që të çojnë në doganën e Kapshticës dhe në qytetin e Ersekës. Ndërkohë që në të gjitha qarqet vazhdon puna për marrjen e masave dhe përballimin e situatës, të krijuar nga reshjet e shiut dhe dëborës që kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit.
Qarku Shkodër
Situata në rrethin e Shkodrës është normalizuar. Gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës së kaluar në rrethin e Shkodrës ka pasur 125 mm shi. Të gjitha rrugët për në fshatrat e komunave të përmbytura ditë më parë janë të kalueshme nga të gjitha llojet e mjeteve. Ka ende 1800 ha tokë me prezencë uji, 78 shtëpi të rrethuara nga uji dhe 3 shtëpi në prezencë uji. E bllokuar në rrethin e Pukës mbetet vetëm rruga për në komunën Iballë. Në Malësinë e Madhe të gjitha rrugët për në qendrat e komunave janë të kalueshme nga automjetet. Në disa raste nevojitet përdorimi i zinxhirëve
Qarku Lezhë
Aktualisht situata paraqitet normale, pavarësisht se reshjet kanë qenë intensive dhe vetëm dje dhe gjatë natës së kaluar kanë renë 57 mm shi. Nuk kemi situata problematike. Në shkallë qarku rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme plotësisht dhe mbahen në kontroll të vazhdueshëm nga shërbimet e qarkullimit rrugor dhe Drejtoria rajonale e Rrugëve. Hidrovoret janë në gatishmëri dhe punojnë me kapacitet të plotë. Nga reshjet e shumta të shiut një sipërfaqe e vogël e tokave bujqësore është mbuluar nga uji. S’ka probleme në argjinaturat e lumit Mat.
Qarku Kukës
Gjatë natës ka pasur reshje intensive shiu dhe në zonat malore mbi 600 m ka pasur reshje bore. Aktualisht reshjet janë ndërprerë. Në të gjithë rrjetin rrugor nuk kemi probleme të veçanta me qarkullimin e automjeteve. Moti sot është më i butë dhe pritet të kemi pakësim të reshjeve.
Në qarkun e Kukësit janë të bllokuara rrugët për në komunat: Arrën, Gryk Çajë dhe Zapod. Grupet e emergjencave civile janë ngritur pranë zyrave lokale ku po punojnë për furnizimin e banorëve me ushqime si dhe hapjen e rrugëve më makinat borë pastruese.
Qarku Dibër
Gjatë natës së kaluar ka pasur reshje intensive shiu dhe në zonat malore mbi 600 m reshjet kanë qenë në formë dëbore. Aktualisht bien reshje intensive bore në rrethin e Dibrës, shoqëruar me temperatura të ulëta deri në -4 gradë Celsius. Në rrethet Bulqizë dhe Burrel reshjet kanë qenë më të pakta dhe aktualisht nuk bien. Nga shirat e ditës së djeshme dhe gjatë natës që kaloi situata është përmirësuar ndjeshëm në rrjetin rrugor. Aktualisht të bllokuara janë komunat Kala e Dodës në rrethin e Dibrës dhe komunat Ostren dhe Trebisht, në rrethin e Bulqizës.
Qarku Durrës
Nga fryrja e lumit Ishëm dhe lumit Tërkuzë në bashkimin e tyre, në afërsi me fshatin Mërqin, komuna Bubq, ka dalje të ujit në parcelat bujqësore dhe në një banesë uji ka prekur edhe oborrin e saj. Probleme të tjera nuk ka pasur. Aktualisht në këtë qark janë ngritur grupet e punës, të cilët po punojnë në sistemin e kanaleve kulluese me qëllim largimin sa më parë të ujit. Gjithashtu vëmendje i është kushtuar edhe disa banesave ku uji në to është afruar, dhe ka sjellë qarkullimin normal të njerëzve. Situata në zonën e ish-kënetës është nën kontroll.
Qarku Korçë
Sipas Ministrisë së Brendshme, situata në këtë qark paraqitet normale. Ka pasur borë në segmentin rrugor Qukës-Qafë Thanë, por Drejtoria rajonale e Rrugëve ka mbajtur në gatishmëri borëpastrueset, të cilat nuk kanë lejuar për as edhe një moment bllokimin e rrugës. Vështirësi në qarkullim vazhdon të jetë rruga në zonën e Qafë Thanës, ku të gjitha llojet e automjeteve duhet të qarkullojnë me zinxhirë. Ndërkohë që vëmendje i është kushtuar edhe rrugës nacionale që lidh Korçën me doganën e Kapshticës dhe Ersekën, ku në këto segmente është hedhur skorje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›