Vidhen 6 lokale në Cakran të Fierit në pak ditë
01/02/2010 Banorët: Jemi të terrorizuar
FIER- Edhe ditët e fundit të janarit nuk i kanë shpëtuar vjedhjes në masë të dyqaneve dhe lokaleve. Këtë herë maratona e vjedhjeve ka ndodhur në komunën Cakran të rrethit të Fierit, ku 6 dyqane, lokale dhe argjendari janë vjedhur dhe dëmtuar. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, bastisjet kanë ndodhur gjatë natës së të premtes. Ndërkohë, sipas tyre, natën ka munguar edhe ndriçimi i rrugëve dhe keqbërësit kanë shfrytëzuar rastin duke bërë që të vidhet në masë. Cakrani po kthehet tashmë në një arenë vjedhjesh, por deri tani nuk ka pasur asnjë autor duke e bërë situatën kaotike dhe tepër të pasigurt. Banorët e zonës kërkojnë që të gjenden autorët dhe të vihen përballë ligjit, pasi dëmet ekonomike shkojnë në miliona lekë. Kjo situatë sipas banorëve ka prekur jo vetëm qendrën e komunës së Cakranit, por edhe fshatrat e kësaj komune. Ndërkohë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka bërë të mundur shoqërimin e një adoleshenti M. K., por ende nuk është deklaruar një fajtor për këto grabitje që në Fier po kthehen në makth.