E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në shtëpi, digjet i paralizuari

 Etleva DeliaNjë banesë 2-katërshe pranë gjimnazit “Partizani” në Tiranë, është shkrumbuar totalisht dje në orët e para të mëngjesit dhe si pasojë ka mbetur i vdekur kryefamiljari, i cili ishte i paralizuar, ndërsa është plagosur rëndë bashkëshortja e tij. Sipas hetimeve paraprake dyshohet se shkak i rënies së zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike, e krijuar në një rezistencë që ishte harruar ndezur gjatë natës. Në pamundësi për të dalë jashtë duke qenë se ishte i paralizuar, ka mbetur i asfiksuar nga tymi, kryefamiljari Pajtim Zeqa, 66 vjeç. Policia tha se është plagosur rëndë bashkëshortja e tij, Lindita Zeqa. Sipas policisë gruaja ka pësuar djegie të rënda gjatë përpjekjeve për të nxjerrë bashkëshortin e paralizuar nga shtëpia që ishte përfshirë nga flakët. Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve ajo ka arritur të shpëtojë dhe është dërguar me urgjencë në spitalin “Nënë Tereza”, ku aktualisht ndodhet në avionin e djegieve. Për bashkëshortin e saj ka qenë e panevojshme ndërhyrja mjekësore, duke qenë se është nxjerrë i shkrumbuar nga banesa pa shenja jete. Sipas ekspertëve mjeko-ligjor, vdekja e tij ka ardhur nga asfiksia, e më pas nga djegia e trupit. Në momentin e rënies së zjarrit dy bashkëshortët Pajtim dhe Lindita Zeqa ndodheshin në gjumë dhe të vetëm në shtëpi, pasi djali i tyre, i cili është aktor në një serial televiziv, ende ishte në punë dhe nuk ishte kthyer. Ndërsa vajza e çiftit është e martuar dhe prej vitesh nuk jetonte me ta. ZJARRINgjarja ka ndodhur në ora 01:30, kur zjarrfikësit janë lajmëruar për një zjarr në rrugën “Ali Pashë Gucia”, një banesë private 2-katërshe, pranë Kishës Katolike, që ndodhet në krah të gjimnazit “Partizani”, në Tiranë. Burime nga policia thanë se shërbimet zjarrfikëse janë lajmëruar nga fqinjët e familjes Zeqa, të cilët kanë parë flakët që dilnin nga banesa 2-katërshe. Menjëherë dy makina zjarrfikëse janë nisur drejt vendit të ngjarjes, gjithashtu edhe efektivat e policisë të Komisariatit nr.1. Duke qenë se godina kishte disa pjesë të ndërtuara me dru, flakët janë përhapur më shpejt, duke bërë që shtëpia të digjej totalisht. Zjarrfikësit kanë mundur që të shuajnë zjarrin, por pa arritur të shpëtojnë kryefamiljarin, Pajtim Zeqa, i cili edhe nga fatkeqësia që kishte pësuar, duke qenë i paralizuar, nuk ka mundur të lëvizë për të shpëtuar. Policia sqaroi se nga flakët që përhapeshin me shpejtësi është rrezikuar edhe jeta e Lindita Zeqës, bashkëshortes së viktimës, e cila duke tentuar që të nxjerrë jashtë 66-vjeçarin, ka pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit. Mjekët shprehen se ajo është jashtë rrezikut për jetën, por po mbahen në reanimacion, nën kujdesin e mjekëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›