E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partnerët qeveritarë “sherr” për Prizrenin

 Ndërsa në dy komuna të Kosovës, në Prizren dhe Lipjan po zhvillohej faza e tretë e zgjedhjeve rajonale, dy pretenduesit kryesorë për bashkitë, PDK e Kryeministrit, Hashim Thaçi dhe LDK e Presidentit, Fatmir Sejdiu, kanë shkëmbyer akuza e kundër-akuza mbi manipulim dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor. Komuna e Prizrenit është bërë një pikë e fortë diskutimi edhe për qeverisjen qendrore, pasi të dy liderët kanë deklaruar se po fituan këtë komunë do të rishikojnë formimin e koalicionit qeveritar, madje edhe ekzistencën e vetë këtij koalicioni. Në Prizren po garojnë kandidati i PDK-së, Ramadan Muja dhe i LDK-së, Hanefi Muharremi. Sipas zëdhënësit të PDK-së, Blerand Stavileci gjatë ditës është vërejtur votimi në grup e simpatizantëve të LDK-së nga Prishtina dhe Deçani. Ai ka akuzuar edhe dy persona se me bexha identifikimi fals kanë ushtruar presion indirekt në emër të sekretariatit të KQZ-së. Ndërsa nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka apeluar tek kundërshtarët politikë që të mos lejojnë grupe të caktuara dhe zyrtarë të shtetit që të bëjnë presion tek votuesit. Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të LDK-së në Prizren, Aziz Hoda ka shprehur shqetësimin për prezencën e lartë të militantëve të PDK-së nëpër vendvotime, të cilët “bëjnë presion te votuesit”. Ndërkohë sipas policisë, votimi ka kaluar i qetë. Rezultatet pritet të publikohen sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›