Vizat, Fajon: Kosova larg marrjes së një udhërrëfyesi nga BE
Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, në një intervistë për BBC-në, ka deklaruar se Kosova është ende larg marrjes së një udhërrëfyesi nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave, por shfaqi shpresën e saj se Komisioni Europian do të fillojë së shpejti një lloj dialogu edhe me Prishtinën për këtë proces. "është e qartë se Kosova është ende larg nga një udhërrëfyes këtu në Bruksel sa i përket liberalizimit të vizave. Komisioni Evropian ofroi një lloj udhëzuesi dhe unë besoj se qytetarët e Kosovës duhet të kenë të njëjtën mundësi që të udhëtojnë lirisht në BE sikur edhe fqinjët e tyre në rajon", është shprehur Fajon. Fajon tha se statusi i pazgjidhur i Kosovës, për 5 vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, do ta vështirësojë rrugën për të gjetur zgjidhjen për qytetarët e Kosovës. "Problemi kryesor është statusi i pazgjidhur i Kosovës. Sepse siç e thashë janë ende 5 anëtare të BE-së që ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. Ky është një proces i gjatë por sërish ka ende shumë gjëra që duhet të bëjë vetë Kosova. Por kur procesi të fillojë, mendoj se duhet të ketë përgjegjësi nga të dyja palët. Unë shpresoj se do të ketë kurajo edhe nga BE-ja që të gjejë një zgjidhje për të filluar dialogun për vizat edhe me Kosovën", tha Fajon. Ajo theksoi se Kosova ka ende shumë kritere për të përmbushur dhe u bëri thirrje autoriteteve kosovare që të vazhdojnë me reformat në vend. Eurodeputetja Fajon tha se shpreson se Shqipëria dhe Bosnja të hyjnë në procesin e lehtësimit të vizave brenda këtij viti dhe se Kosova nuk do të mbetet, siç u shpreh, një "vrimë e zezë" në hartën e Ballkanit Perëndimor.