E Diel, 1 Nëntor 2026

Haiti, shteti më i varfër i Amerikës, tërmeti ka vrarë mijëra vetë

Haiti, shteti më i varfër i Amerikës, u
trondit nga një tërmet i fuqishëm. Të dhëna të sakta mbi viktimat apo përmasat
e dëmeve ende nuk ka, edhe pasi lidhjet në vendin e varfër janë ende të
kufizuara por disa mijëra vetë mendohet të jenë shuar.

Toka u lëkund pak para orës 17, ora lokale.
Fuqia 7 ballë - më e fortë se kurrë ndonjëherë në Karaibe. Epiqendra ndodhej në
periferi të kryeqytetit Port-au-Prince, pjesa me popullsinë më të dendur në
vend.

Për rreth një minutë bota u lëkund, tregon
Mike Godrey, punonjës i një organizate humanitare nga SHBA-ja. Pas një gjysmë
minute, një re gjigante pluhuri dhe tymi u ngrit mbi qytet, tregon Godrey. Kjo
mbulesë e pistë errësoi plotësisht qytetin për rreth 20 minuta. Lidhjet
telefonike janë ndërprerë, vendi i izoluar nga bota e jashtme

Se si duket situata sot në qytetin me tri
milionë banorë, pas katastrofës së të martës pasdite, askush nuk dëshiron
vërtet ta përfytyrojë. Por shpejt ajo do të bëhet e dukshme. Haiti është në
masë të madhe i izoluar nga bota e jashtme.

Lidhjet telefonike nuk funksionojnë më, vetëm
me anë të internetit dhe me satelit arrijnë disa informacione.

Premtime ndihme nga SHBA-ja, Franca e
Venezuela

Haiti do të ketë nevojë për ndihmën
ndërkombëtare. Ndër të tjera Venezuela, Franca dhe ministria e Jashtme e
SHBA-së premtuan mbështetje vetëm pak orë pas tërmetit. "Ne akoma jemi
duke mbledhur informacione mbi këtë tërmet katastrofal, epiqendrën, pasojat për
njerëzit në Haiti. SHBA-ja i ofron Haitit dhe rajoneve fqinje mbështetje të
plotë. Ne do të dërgojmë ndihmë në rast katastrofash, civile dhe ushtarake. Ne
lutemi për viktimat, familjet dhe të afërmit e tyre" - tha ministrja e
Jashtme e SHBA-së, Hillary Clinton.

Dëme të shumta materiale, i shembur ndoshta
edhe pallati presidencial

Në lagjen relativisht të pasur Petionville, në
kodrat mbi qytetin portual Port - au - Prince, është shembur plotësisht spitali
i fëmijëve, bën të ditur një sipërmarrëse për studion e stacionit gjerman ARD.

Në rrugën e gjatë që çon në qendër shtëpitë
janë më shumë të shkatërruara se sa në këmbë, tregon një punonjës i një
organizate ndërkombëtare. Nën gërmadha dergjen kufomat e viktimave.

Në një rrugë dytësore ndodhej hoteli
Chistopher, i cili prej disa vitesh i shërbente si seli qendrore misionit të
helmetave të kaltra të OKB-së. Tani thuhet se ai është shembur.

Viktimat mund të jenë mijëra

Pallati presidencial shkëlqente gjithnjë i
bardhë në diell. Edhe vetë ky kolos mësohet se është dëmtuar rëndë, madje disa
informacione thonë se është rrëzuar plotësisht. E si mund të jetë situata në
pjesën tjetër të këtij vendi të kërrusur nga varfëria e hidhur? Organizatat
humanitare druajnë se viktimat mund të jenë qindra e madje mijëra. Do të duhen
ditë derisa të ketë shifra të sakta. Qindra mijëra vetë jetojnë në shtëpi tejet
të thjeshta në shpate mali, zona të rrezikuara.

Shanset më të mëdha të mbijetesës i kanë
ndoshta më të varfrit e të varfërve, të cilët jetojnë në lagjet e mjeruara.
Kasollet e tyre ngjasojnë më shumë me rrënoja: mure teneqeje, pjesërisht pa
çati, vështirë se mund të rrënohet ende diçka.

Edhe ambasadori haitian në SHBA Raymond Jones
kërkoi ndihmë: "I bëj thirrje gjithë botës, e para së gjithash
SHBA-së, të na ndihmojë në këtë situatë në të cilën ndodhemi, - deklaroi Jones
i cituar nga DW.

Republika Dominikane, e cila ndan me Haitin
ishullin Hispaniola, i bëri thirrje gjithë botës t'i vijë në ndihmë fqinjit të
varfër. Edhe para kësaj katastrofe, Haiti ishte vendi më i varfër i Amerikës.

Drojë se mund të ketë mijëra të vdekur

Si pasojë e një tërmeti të rëndë të fuqisë 7
ballë në Haiti dyshohet se kanë jetën humbur jetën mijëra vetë. Vetëm në
kryeqytetin Port-au-Prince dyshohet të gjenden nën gërmadhat e shtëpive të
rrëzuara qindra vetë.

Pjesë të mëdha të qytetit janë të
shkatërruara. Pallati presidencial dhe selia qendrore e trupës paqeruajtëse të
Kombeve të Bashkuara u dëmtuan rëndë. Me sa duket kanë humbur jetën disa
ushtarë të OKB-së.

Shumë punonjës ushtarakë dhe civilë të Kombeve
të Bashkuara konsiderohen të humbur. Edhe në lagjet e varfra përreth
Port-au-Prince-it ka dëme të mëdha.

Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar
prej tërmetit janë të prekur deri në tre milionë banorë të Haitit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›