E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haiti, tmerr për tërmet më të fortë

 Popullsia në Haiti, veç tmerrit të tërmetit të fuqishëm që pësoi ditë më parë, tani është mbërthyer nga paniku i paralajmërimeve për goditje të reja sizmike shumë më të fuqishme. Pas lëkundjeve të frikshme më 12 janar si pasojë e të cilave 132 persona u nxorën të gjallë nga rrënojat dhe rreth 111 mijë të tjerë humbën jetën, 600 mijë janë të pastrehë dhe 200 mijë janë të plagosur, tani ka një alarm të ri. Sizmologët amerikanë parashikojnë se ishulli shumë shpejt do të pësojë goditje të reja, më të gjata dhe më të forta nga ato që shkatërruan një të tretën e vendit. Ekspertët e institutit gjeofizik amerikan, shpjegojnë se mundësia e një tërmeti të ri shkatërrues shumë shpejt është 25 për qind dhe lëkundjet “mund të kapërcejnë shumë magnitudën 6 dhe mund të zgjasin për shumë kohë. “Eksperienca e Turqisë, na bën të besojmë që lëkundje shumë të forta të përsëriten në këtë vend brenda tre muajve, siç ndodhi në vitin 1999 në vendin evropian”, ka theksuar sizmologu David Shvartz. Edhe historia sizmike në Haiti duket se u jep të drejtë këtyre parashikimeve të zymta të ekspertëve. Në vitet 1751 dhe 1770 lëkundjet që shkatërruan Port-au-Prince u pasuan nga lëkundje të tjera në një afat të shkurtër kohor, të gjitha me magnitudë të fortë. Ndërkohë kanë shpërthyer revoltat në popull duke akuzuar presidentin Preval se nuk po bën asgjë për t’u shuar urinë. Dhjetëra njerëz kanë protestuar në Port-au-Prince kundër presidentin haitian Rene Preval. “Kemi uri, kemi etje. Poshtë Preval. Rroftë Obama”, bërtisnin njerëzit jashtë një stacioni policie. Protestuesit u shpërndanë nga policia. Presidenti haitian ka deklaruar se bashkë me miqtë ndërkombëtarë po bën ç’është e mundur për t’iu ardhur në ndihmë qindra mijëra të mbijetuarve. Në spital vazhdon skandali i rrëmbimit të fëmijëve të mbetur jetimë, vetëm një ditë më parë u zhdukën 15 fëmijë të shtruar për përkujdesje. OKB ka bërë thirrje për ndalimin e këtij fenomeni të shëmtuar, ku disa persona po shfrytëzojnë kaosin dhe gjendjen e vështirë të popullsisë për interesa të ulëta personale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›