E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga, në Peqin ka gola debutuesish

 Shkumbini triumfoi 2-1 ndaj Vllaznisë, falë dy golave të realizuar nga dy blerjet dimërore Ferjoz Shenaj e Altin Gërboviç. Të dyja skuadrat e luajtën gjithë pjesën e dytë me nga dhjetë lojtarë, pas ndëshkimit të sulmuesit të Shkumbinit, Erjon Mustafaj dhe qendërmbrojtësit të Vllaznisë, Blaze Rajoviç. Në ndeshjen e fundit në fushën e saj, Shkumbini kishte shkatërruar Dinamon 4-0 (19.12.2009), me një “poker” shumë të diskutuar për shkak të gjendjes problematike të terrenit, ndërkohë që ndaj Vllaznisë, për herë të fundit në përballjen direkte bardhekaltërit kishin humbur 1-2 (02.05.2009), një motiv më shumë për formacionin e Përparim Daiut për ta nisur me këmbën e mbarë pjesën e dytë të sezonit. Shkumbini regjistroi fitoren e shtatë sezonale, ndërkohë që Vllaznia pësoi humbjen e shtatë në transfertë. Klubi shkodran dëshmoi se edhe me fuqizimin e vijës sulmuese me Haxhibuliç e ka të vështirë të fitojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›