Kosova rrezikon ndarjen
Zyra Ndërkombëtare Civile deklaroi dje, se ekziston rreziku i ndarjes funksionale mes shqiptarëve dhe serbëve, por që komuniteti ndërkombëtar nuk do të lejojë të ndodhë një gjë e tillë. Ndarja funksionale në vija etnike e Kosovës përjashtohet nga institucionet vendëse, por Zyra Civile Ndërkombëtare nuk e përjashton si rrezik që i kanoset Kosovës. Zëdhënësi i kësaj zyre, Andy McGuffie, deklaroi dje se, në Kosovë ekziston rreziku i ndarjes funksionale, të cilin e pati propozuar ministri serb, Sllobodan Samarxhiç, por që komuniteti ndërkombëtar nuk do të lejojë që kjo të ndodhë. “Nëse pyet se a ka rrezik, nuk mund ta përjashtosh mundësinë. Por ne do të bëjmë çfarëdo që të mundemi, për të siguruar se Kosova është një hapësirë e vetme legale dhe se organizatat ndërkombëtare do të punojnë në mënyrë koherente dhe me marrëveshje me njëra-tjetrën”, tha McGuffie për radion “Evropa e Lirë”. Gazeta britanike “Financial Times” citoi përfaqësuesin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, të ketë deklaruar, se letra e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, i siguron serbët se edhe për një kohë të caktuar në mjediset e tyre do të vazhdojë status quo-ja. Sipas të përditshmes, Feith është i mendimit se ndarja funksionale është gjithashtu një mundësi, por McGuffie tha se kjo nuk do të lejohet. “Po, ekziston rreziku, por organizatat ndërkombëtare do të punojnë shumë fuqishëm për të siguruar një të ardhme multietnike për Kosovën. Zoti Feith nuk ka thënë se do të ndodhë, por vetëm se ekziston rreziku dhe se ICO-ja dhe EULEX-i do të punojnë, që të sigurojnë se nuk do të ndodhë”, u shpreh ai. Serbët në veri dhe në enklavat serbe nuk pranojnë Kosovën e pavarur dhe bojkotojnë institucionet vendëse. Pavarësisht kësaj, zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri, hodhi poshtë çdo mundësi të së ashtuquajturës ndarje funksionale të Kosovës. “Kosova është e pavarur në tërësinë e saj territoriale, të njohur ndërkombëtarisht tashmë nga 43 shtete anëtare të OKB-së, nga 7 shtete të G8-ës, nga pjesa dërrmuese e shteteve të BE-së dhe besojmë se shumë shpejt edhe nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së. Kështu që as nuk mund të diskutohet çështja e integritetit territorial. Ajo është çështje e mbyllur”, tha Beqiri. Institucionet e Kosovës kanë pranuar në parim letrën e Ban Ki Munit, duke u pajtuar që OKB-ja do të vazhdojë të kryejë, edhe për një kohë të kufizuar, funksione të zbatimit të ligjit, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, derisa, siç thuhet, Bashkimi Evropian të mund ta kryejë rolin e vet operativ. Megjithatë, serbët e Kosovës interpretojnë letrën e Ban Ki Munit në mënyrën e tyre. Ata thonë se zoti Ban ka njohur gjendjen reale. Nebojsha Joviç nga Këshilli Nacional Serb në Mitrovicë, u shpreh se komuniteti ndërkombëtar e ka parë se ndarja funksionale në terren është e vetmja mundësi. “Zoti Ban Ki Mun nuk ka thënë asgjë të re. Ai vetëm e ka njohur realitetin dhe kjo është një lëvizje pozitive, ku përfundimisht një pjesë e komuniteti ndërkombëtar që nuk ka pasur sensin për kërkesat tona, ka filluar të shohë realitetin dhe kjo është pamundësimi i shtrirjes së institucioneve të Kosovës së pavarur në veri”, thekson Joviq. Serbët vazhdojnë të kundërshtojnë praninë e misionit të Bashkimit Evropian në veri. Sidoqoftë, Andy McGuffie thotë se në verë do të fillojë zbarkimi i EULEX-it në tërë Kosovën.
Server: “Ndarja, fatkeqësi”
“Jemi shumë pranë ndarjes së Kosovës dhe kjo është fatkeqësi, pasi do të ketë implikime rajonale. Është gabim të pranohet ndarja e Kosovës si de facto, ashtu edhe ajo ligjore”. Ishte kjo deklarata e Daniel Server, nga Instituti Amerikan i Paqe, në një intervistë dhënë dje për radion “Evropa e Lirë”. Sipas tij, Beogradi po përpiqet shumë që të ndajë Kosovën dhe se as Kombet e Bashkuara dhe as Bashkimi Evropian nuk po bëjnë sa duhet për ta ndalur një gjë të tillë. “Beogradi, duke refuzuar të pranojë pavarësinë e Kosovës, duke ruajtur kontrollin në zonat e banuara me serbë jo vetëm në veri, por edhe në enklavat në pjesë të tjera të Kosovës, duke u përpjekur t’i ndajë sa më shumë serbët dhe shqiptarët, po e nxit ndarjen. Brukseli dhe Uashingtoni duhet të zgjohen dhe të shohin se çfarë po ndodh”, - tha Server. Ai shtoi se Beogradi po përpiqet të përfitojë sa më shumë, duke refuzuar çdo propozim të ndërkombëtarëve, përfshirë dhe atë të fundit nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. “Sa herë që Beogradi ka hedhur poshtë një propozim, njerëzit janë përpjekur të sjellin propozime të reja, që janë më afër qëndrimit të Serbisë. Mendoj se kjo është mënyrë e gabuar negocimi nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Ndërsa pala kosovare ka qenë mençurisht e duruar. Them mençurisht, pasi nuk ka pasur mundësi të bëjë më shumë. Është koha për Uashingtonin dhe Brukselin të zgjohen dhe të kuptojnë se problemi i tyre është në Beograd. Nuk ka problem me Kosovën, por me Beogradin”, - tha Server. Sipas tij, shqiptarët e Kosovës duhet të vazhdojnë t’u lënë derën hapur serbëve, si e vetmja mënyrë që ata të pranojnë të integrohen në shtetin e ri, pasi presioni i Beogradit ndaj tyre është tepër i madh.