E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Opozita të ndihmojë për reformat

Mesazhet politike, që u përcollën nga Strasburgu, janë një kambanë alarmi, për ata që mendojnë se mund të mbajnë peng të ardhmen europiane të vendit, për t’i shërbyer interesave personale për pushtet. Mbi këtë konstatim e mbështeti komunikimin e djeshëm me publikun, zv.kryeministri dhe njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Sipas tij, qeveria shqiptare vazhdon të punojë e fokusuar në axhendën europiane, si përgjegjësi e të gjithë faktorëve politikë. “Kemi miratuar planin e veprimit për zbatimin e 12 prioriteteve të Komisionit Europian, i cili angazhon në një aksion kombëtar të gjithë aktorët politikë, institucionalë dhe shoqërorë, në zbatimin e programit të punës sipas 12 prioriteteve të përcaktuara”, tha Haxhinasto. Ky plan pune, vijoi ai, përmban një ndarje të qartë e të matshme të masave, por dhe të përgjegjësive, kostot financiare dhe burimet njerëzore që do të duhet të angazhohen për zbatimin e tyre nga çdo institucion, nga ana e mazhorancës dhe e opozitës. “Është momenti që opozita të dëgjojë thirrjet që vijnë nga Brukseli dhe Uashingtoni, të reflektojë dhe të ndërmarrë hapa konkretë e konstruktivë, për të ardhmen e të gjithë qytetarëve shqiptarë drejt Bashkimit Europian”, u shpreh ministri. Në vlerësimin e tij, është domosdoshmëri që opozita të marrë pjesë në procesin e adresimin të 12 prioriteteve, të angazhohet në mënyrë aktive për realizimin e zgjedhjeve të 8 majit dhe përmirësimin e kuadrit ligjor zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›