E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajdutët e hekurit sulmojnë tabelat e qarkullimit rrugor

• Hajdutët tani kanë gjetur edhe një "artikull" tjetër që i është shtuar listës së tyre të vjedhjeve.SHKODER/ RITVAN DIBRATabelat e qarkullimit rrugor në qytetin e Shkodrës janë zhdukur ditët e fundit, duke u shfrytëzuar nga autorët për shitje ose për thyerjen e rregullave. Vetëm në pak ditë mësohet se në rrugë kryesore apo dytësore të qytetit më të madh në veri, janë hequr 10 tabela. Ato ishin të vendosura për të treguar lejimin ose jo të parkimit, kalimin vetëm në një sens ose mënyrën e lëvizjes së mjeteve. Deri tani, fenomeni i vjedhjeve të pasurive publike ishte konstatuar tek kapakët e pusetave, por problemi nuk po mbetet vetëm për bashkinë, po dhe për Policinë e Rendit. Prej dy javësh, persona të papërgjegjshëm dhe ende të paidentifikuar kanë nisur një "fushatë" vjedhjesh, duke krijuar shumë probleme në qarkullimin e mjeteve dhe të kalimtarëve. Burime pranë sektorit të shërbimeve të Bashkisë Shkodër pohojnë se ngjarjet nga persona të papërgjegjshëm rezultojnë të kryhen në orët e vona të natës. Duke përfituar dhe nga errësira që mbizotëron në rrugë, hajdutët u vërsulen tabelave të qarkullimit dhe kapakëve të pusetave, duke u marrë pjesët e hekurta, të cilat i shesin me kile në tregun e zi. Ky fakt ka alarmuar drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës, të cilët e kanë bërë prezent një shqetësim të tillë para policisë. Krerë të këtij institucioni u kanë bërë apel dhe qytetarëve, që jo vetëm të distancohen nga këto veprime që i dëmtojnë drejtpërdrejtë ata, por edhe të sinjalizojnë për çdo rast. "Kohët e fundit, Bashkia e Shkodrës është e impenjuar në një sërë aktivitetesh që lidhen me përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj; në infrastrukturë, përmirësimin e situatës në qarkullimin rrugor etj. Por, me keqardhje konstatojmë se ditët e fundit, persona të papërgjegjshëm dhe pa asnjë lloj ndjenje qytetarie, kanë filluar një "fushatë" për heqjen e sinjalistikës rrugore si dhe të kapakëve të pusetave", janë shprehur përfaqësuesit e Bashkisë. Sipas tyre, vjedhja e kapakëve të pusetave, përveçse dëmit bëhet shkas për incidente të ndryshme. Qytetarët shkodranë duhet të hapin sytë mirë kur ecin natën, pasi mund të përfundojnë brenda në pusetat e mbetura hapur. Ndërkaq, Bashkia e Shkodrës ka kërkuar dhe ndihmën e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, për të identifikuar dhe vënë në pranga hajdutët e kapakëve të pusetave dhe të tabelave të qarkullimit rrugor. Nga ana tjetër, burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se po punohet intensivisht për arrestimin e vjedhësve, të cilët vazhdojnë të mbushin xhepat me paratë e fituara nga shitja në treg e pjesëve të hekurta. Në disa raste, këto tabela janë përdorur për qëllime private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›