Konferenca e "Omonia"-s zgjedh Bollanon kryetar
• SARANDE - Nën sfondin e tingujve të himnit grek janë zhvilluar dje zgjedhjet për kreun e "Omonia"-s, i cili ka shpallur fitues Vasil Bollanon.I pranishëm në konferencën e kësaj organizate ka qenë dhe konsulli i përgjithshëm grek në Gjirokastër, Hristos Mandellos, i cili ka përshëndetur punimet e saj si dhe Vangjel Dule, kreu i PBDNJ-së, ministri i Punës, Kosta Barka, etj. Analizën e veprimtarisë së "Omonia"-s e ka bërë kryetari i larguar i saj, Jani Jani, i cili u ndal në disa nga momentet më të rëndësishme të saj. Ndërkohë, Petraq Bereti, kryetar i organizatës në fillimet e saj ka dënuar faktin që Jani, i cili ka bërë publike dorëheqjen e tij të parevokueshme i është kthyer asaj dhe drejton konferencën. Kandidatura e vetme në këto zgjedhje ka qenë ajo e kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano, megjithëse mandati i tij është i kufizuar brenda këtij viti, pasi pritet që të mblidhet një konferencë tjetër zgjedhore. Kjo konferencë do të shpallë zgjedhjet e reja që do të bëhen dy muaj më vonë, ku zgjedhjet do të bëhen sipas parimit 1 minoritar-1 votë. sh.d