"Vrasësi" i Çapjes, bën shaka në gjyq
• "Do vetë dorëzohesha, po ku të lënë këta policët! Jo vetëm kaq por të ndërpresin edhe në mes të çasteve intime me të dashurën".Fatos Mahmutaj Batutat me humor "pa kripë" janë të 23-vjeçarit elbasanas Armand Hasani, thënë dje në Gjykatën e Tiranës, gjatë seancës së masës së sigurisë në ngarkim të tij. Pasi refuzoi të mbrohej nga një avokat, ai para gjyqtares së gatshme tregoi momentin arrestimit të tij nga policia në një motel buzë autostradës Tiranë-Durrës. I riu elbasanas pretendoi se kishte zgjedhur vetë një avokat, por meqë ai ndodhej momentalisht jashtë shtetit atëherë do vetëmbrohej, duke refuzuar avokatët që mund t'i caktonte gjykata kryesisht. "Që kur mësova se kërkohesha për vrasje në Elbasan, dhe armët që mbaja me vete, vendosa të dorëzohesha vullnetarisht në polici. Planin për dorëzim e kisha bërë mirë, pasi të kaloja ca çaste intime me të dashurën time do vija vetë në polici, por ja që policët, më prishën krejt planet kur më arrestuan dhe më dërguan në qeli", tha ai, ndërsa shtoi me humor duke treguar policët që e shoqëronin: "Ku të lënë këta!". AkuzaProkurori që kishte drejtuar hetimet paraprake i komunikoi 23-vjeçarit akuzën e "mbajtjes pa leje të armëve", pasi në momentin arrestimit i ishin kapur dy pistoleta tip "Valter" dhe "Astra- gernikov". I pyetur nga gjykata për dy armët, Hasani u përgjigj se i mbante për vetëmbrojtje, por nuk pranoi të jepte shpjegime se nga kush mbrohej. Më tej ai pohoi faktin se ishte dënuar me burg "për armëmbajtje pa leje" tre vite më parë, ndërsa tha se atë dënim e kishte shlyer të gjithë me "arrest shtëpie". Gjatë kohës që do qëndrojë në qeli, për t'u hetuar e gjykuar për "armëmbajtje", Hasani do jetë në dispozicion edhe të Prokurorisë së Elbasanit, e cila disponon një vendim të gjykatës me masën e sigurisë arrest në mungesë në ngarkim të tij. Hetimi Prokuroria e Elbasanit ka ngritur ndaj 23-vjeçarit akuzën për vrasjen me paramendim në bashkëpunim të biznesmenit Sokol Çapja në fund të vitit 2005 në këtë qytet. Këtë vepër Hasani akuzohet se e ka kryer në bashkëpunim me shokun e tij Dritan Shemja, i cili u gjet i vrarë në vitin 2006 në rrugën "Don Bosko" në Tiranë. Ndërkohë arrestimi i Hasanit kishte qenë i pamundur për policinë e cila e kishte shpallur në kërkim që nga 26 dhjetori 2005. Sipas organit të akuzës mendohet se Hasani nuk ka pasur asnjë hasmëri apo konflikt të mëparshëm me viktimën, ndërsa e vetmja arsye për të kryer krimin mund të jetë një shpërblim i majmë që ai ka përfituar nga hasmët e viktimës, pasi ka kryer ekzekutimin. Konkluzionet paraprake të ekspertizës kanë nxjerrë se dy pistoletat që iu kapën atij në momentin e arrestimit tip "Valter" dhe "Astragernikov" kishin dalë të pastra.Ekzekutimi Biznesmeni elbasanas Sokol Çapja, bashkëpronar i hotel "Univers", u ekzekutua mbrëmjen e 26 dhjetorit 2005, në një lokal pranë Universitetit të Elbasanit. Tre persona të armatosur, nga të cilët deri tani janë identifikuar i vrari Dritan Shemja dhe Armand Hasani qëlluan me breshëri automatiku dhe pistoletë ndaj tij duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.ShemjaDritan Shemja, biznesmen gomash nga Elbasani u ekzekutua me një plumb në kokë në orët e vona të mbrëmjes së 20 tetorit 2006. Në ato momente ai ndodhej në ambientet e një pike euro-llotoje në rrugën "Don Bosko", në kryeqytet. Shkak për ekzekutimin tij sipas policisë së kryeqytetit është hakmarrja për vrasjen e Sokol Çapjes, ku mendohet se ky ka marrë pjesë.