Hipotekimi i pronës, çmimet për metër katror për 29 qytetet e vendit
Rastet kur përjashtohesh nga taksa apo kur të përgjysmohet. Rregullat e reja që kanë hyrë në fuqi për pasuritë e paluajtshme pas 1 janarit
Laureta Rryçi
Regjistrimet në Hipoteka që nga 1 janari janë bazuar në udhëzimin më të fundit mbi pasuritë e paluajtshme që ka nxjerrë Ministria e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë tabelën e plotë që përcakton taksën që duhet të paguajnë të gjithë qytetarët nga i gjithë vendi për të regjistruar pronën që e kanë blerë pas vitit 2002. Të gjithë ata që e kanë neglizhuar regjistrimin e pasurisë së paluajtshme të blerë vite më parë, tashmë do të paguajnë një taksë të konsiderueshme, gjithmonë në varësi të qytetit dhe vitit kur e kanë blerë. Udhëzimi tani ka mbërritur në çdo zyrë të noterëve dhe pa paguar taksën asnjë qytetar nuk mund të nisin procedurat e regjistrimit të pronës në zyrën e Hipotekës.
Udhëzimi
Udhëzimi më i fundit ka përcaktuar se kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtese, do të tatohet me 10 për qind të fitimeve kapitale të realizuara. Ky rregull nuk është i vlershëm në rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Në këtë rast tatimi i të ardhurave kryhet sipas procedurës së dhënë në nenin 20 te Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie, në përputhje me aktet ligjore përkatëse. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet, pa provuar pagimin e detyrimit pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Me kalim të së drejtës së pronësisë kuptohet akti i shitjes apo akti i dhurimit të pasurisë së paluajtshme. Në kuptim të nenit 11 të Ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, me termin “fitim kapital i realizuar” kuptohet diferenca ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë ndërtesë apo tokë.
Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi). Kontrata duhet të shprehë sipërfaqen në metër katror të pasurisë, çmimin për metër katror dhe vlerën e saj. Kontrata duhet të jetë e shoqëruar me hartën, planimetrinë dhe dokumentet e tjera, që shërbejnë për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme. Në rastet kur individi kalon pronësinë, për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse.
Tabela
Përcaktimi i vlerës në shitje bazohet në kontratën e shitjes së pasurisë. Në rastet kur çmimi i shitjes për m2 i përcaktuar në kontratë është më i ulët se çmimi minimal i përcaktuar në tabelë, zbatohen këto të fundit për efekt të llogaritjes së tatimit. Në tabelën e mëposhtme janë përcaktuar çmimet minimale që do të llogaritet çdo pronë e paluajtshme që është blerë në 29 qytetet e vendit pas 2002-shit.
Hipoteka
Tatimi mbi të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë paguhet nga individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme. Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme llogarisin dhe arkëtojnë detyrimin tatimor përkatës sipas procedurave të përcaktuara në Ligj dhe në këtë Udhëzim. Pagesa e detyrimit tatimor bëhet para kryerjes së regjistrimit të aktit të kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurive të paluajtshme, në ZVRPP, në përputhje me aktet ligjore. Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme mbledhin tatimin lidhur me kalimin e të drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme dhe e derdhin atë brenda 10 ditëve nga kryerja e veprimeve për llogari të organeve tatimore. Brenda datës 10 të muajit pasardhës, Zyrat e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme dërgojnë në degën përkatëse të tatimeve evidencën përkatëse, e cila përmbledh emrin e individit tatimpagues, shumën e llogaritur të tatimit mbi të ardhurat nga kalimi i të drejtës së pronësisë, si dhe numrin dhe datën e dokumentit të derdhjes së këtij detyrimi në organin tatimor.
Rregullat
Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara deri në datën 31 dhjetor 1995, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, si dhe ndërtesat e privatizuara me Ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” i ndryshuar, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e të drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kostoja mesatare për m2 e sipërfaqes së shfrytëzueshme, të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave, në VKM nr. 815 datë 9.12.1996.
Për qytetet që nuk përmenden në Vendimin përkatës të Këshillit te Ministrave, për efekt llogaritje do të merret në konsideratë kostoja mesatare e qytetit në distancën më të afërt.
Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara nga 1 janari 1996, deri në 31 dhjetor 2002, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e të drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje, do të merret kostoja mesatare për m2 të sipërfaqes së shfrytëzueshme e përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave.
Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara pas 1 Janarit 2003, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e të drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kostoja minimale fiskale e përcaktuar në Marrëveshjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 29.03.2006.
Në rastin e shitjes së një ndërtese të përfituar nga këmbimi i truallit, në bazë të një kontrate këmbimi, si çmim i blerjes do të konsiderohet një nga çmimet e përcaktuara në shtojcën 2 dhe 3 të këtij Udhëzimi.
Në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën, për efekt të përcaktimit të detyrimit tatimor, si çmim minimal i shitjes do të merret çmimi i përcaktuar në VKM nr. 555, datë 29.08.2007, VKM nr. 653, datë 29.09.2007 dhe VKM nr. 139, datë 13.02.2008.
Për zonat e tjera të vendit, Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme do të marrin në konsideratë Vendimet e Këshillit të Ministrave, nëpërmjet të cilave do të përcaktohen çmimet minimale të trojeve në hartat përkatëse të këtyre qarqeve.
Në rastet e shitjes njëkohësisht të tokës truall dhe të ndërtesës “njollë” brenda këtij trualli, për përllogaritjen e detyrimit tatimor do të merren në konsideratë të dyja elementet: vlera e shitjes së ndërtesës dhe vlera e shitjes së truallit. Vlerat e shitjes së ndërtesës dhe të truallit nuk duhet të jenë më të vogla se çmimet minimale përkatëse të përcaktuara në këtë Udhëzim.
Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit, transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes.
Box
Ndëshkimi
Mosrespektimi i çmimeve në kontratat e noterizuara të shitjeve të pasurisë së paluajtshme konsiderohen kundërvajtje administrative për zyrat e noterisë dhe penalizohen sipas dispozitave ligjore në fuqi. Në rastet kur individët, nëpërmjet aktit noterial kanë bërë kalimin e të drejtës së pronësisë përpara datës 1 janar 2008, por nuk kanë paguar detyrimin tatimor dhe paraqiten pas kësaj date për të kryer regjistrimin në sportelet e Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, detyrimi tatimor do të llogaritet sipas dispozitave të nenit 11 të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar me Ligjin nr. 9716, datë 16.04.2007. Në rastet kur individët kanë nënshkruar kontratë të kalimit të së drejtës së pronësisë dhe kanë paguar tatimin para datës 1 janar 2008 dhe paraqiten pas kësaj date pranë ZVRPP për regjistrim pasurie, nuk paguajnë detyrime tatimore shtesë.
Box
Në rastet kur individi kalon pronësinë, për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes, e përcaktuar në kontratën paraardhëse
Shembull:
Një shoqëri ndërtimi i ka shitur individit A një apartament me vlerën 5.000.000 lekë. Ky individ e shet këtë apartament pas disa vjetësh tek një individ tjetër B, për 6.000.000 lekë.
Individi A do të tatohet me 10% të diferencës midis vlerës së shitjes 6.000.000 lekë dhe vlerës së blerjes 5.000.000 lekë.
Pra 10% x (6.000.000-5.000.000) = 100.000 lekë, do të jetë tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë, i cili paguhet nga individi A.
KOSTOT MINIMALE FISKALE SIPAS VITEVE DHE ZONAVE
Në lekë
Nr. Qytetet Kosto minimale m2 sipërfaqe viti 2003 Kosto minimale m2 sipërfaqe viti 2004 Kosto minimale m2 sipërfaqe viti 2005 Kosto minimale m2 sipërfaqe viti 2006 Kosto minimale m2 sipërfaqe viti 2007
1 Berat 21.964 22.356 22.356 24.840 24.840
2 Dibër 20.186 20.547 20.547 22.830 22.830
3 Durrës 21.964 22.356 22.356 24.840 24.840
4 Elbasan 19.151 19.494 19.494 21.660 21.660
5 Fier 21.061 21.438 21.438 23.820 23.820
6 Gjirokastër 21.698 22.086 22.086 24.540 24.540
7 Gramsh 20.478 20.844 20.844 23.160 23.160
8 Kavajë 20.372 20.736 20.736 23.040 23.040
9 Korçë 20.054 20.412 20.412 22.680 22.680
10 Krujë 22.043 22.437 22.437 24.930 24.930
11 Kuçovë 23.157 23.571 23.571 26.190 26.190
12 Kukës 22.202 22.599 22.599 25.110 25.110
13 Kurbin 22.043 22.437 22.437 24.930 24.930
14 Lezhë 19.841 20.196 20.196 22.440 22.440
15 Librazhd 19.151 19.494 19.494 21.660 21.660
16 Lushnjë 21.884 22.275 22.275 24.750 24.750
17 Mirditë 22.282 22.680 22.680 25.200 25.200
18 Mat 22.017 22.410 22.410 24.900 24.900
19 Peqin 19.205 19.548 19.548 21.720 21.720
20 Përmet 20.850 21.222 21.222 23.580 23.580
21 Pogradec 23.104 23.517 23.517 26.130 26.130
22 Puke 30.584 31.131 31.131 34.590 34.590
23 Sarande 23.741 24.165 24.165 26.850 26.850
24 Shkodër 25.067 25.515 25.515 28.350 28.350
25 Skrapar 17.772 18.090 18.090 20.100 20.100
26 Tepelene 21.884 22.275 22.275 24.750 24.750
27 Tropojë 31.804 32.373 32.373 35.970 35.970
28 Vlorë 21.963 22.356 22.356 24.840 24.840
29 Tiranë 26.526 27.000 27.000 30.000 30.000
8 Mars 2008