E Diel, 1 Nëntor 2026

Koshtunica: “Qeveria, në krizë”

Kontradiktat në lidhje me afrimin ose jo me Bashkimin Europian kanë bërë që qeveria serbe të hyjë në një krizë të madhe. Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ka deklaruar për mediat serbe se tashmë nuk ka më besim te partnerët e tij proeuropianë me të cilët ka krijuar një koalicion qeverisës, Partinë Demokratike dhe Partinë “G 17 plus”. Kjo sipas zërave mund të sillte shpërbërjen e kabinetit. Koshtunica i ka akuzuar këto parti se nuk po luftojnë sinqerisht për ruajtjen e Kosovës. Koshtunica ka theksuar: “Qeveria e Serbisë është në krizë të madhe, sepse nuk kishte gatishmëri të miratonte vendimin se bashkërisht dhe fuqishëm do të insistonte që Serbia vetëm si shtet i tërësishëm, me Kosovën, mund të bëhej anëtare e Bashkimit Europian”. Koshtunica këmbëngul se Serbia nuk mund t'i bashkëngjitet BE-së derisa vendet anëtare të bllokut nuk i tërheqin vendimet e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Partitë proeuropiane në koalicionin qeverisës thonë se e ardhmja e Serbisë nuk do të duhej të varej nga statusi i Kosovës.

8 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›