Ilir Paja rëndë në spital, Krimet e Rënda masë në letër për njeriun 'ufo'
• TIRANE - Ilir Paja, i shumëkërkuari që u arrestua pasi plagosi policin Bledi Haxhimali do të njihet paraditen e sotme me masën e sigurisë.Lajmin e pohojnë burime zyrtare të Gjykatës së Krimeve të Rënda, sipas të cilave seanca do të kryesohet nga një gjyqtare e gatshme e kësaj jave dhe mund të zhvillohet në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet i akuzuari. Organi i akuzës ka ngritur ndaj 35-vjeçarit akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta dhe ka kërkuar paraprakisht vendosjen e masës së sigurisë "arrest në burg" për të. Shkak për mos zhvillimin e seancës së masës ditën e djeshme ishte festa zyrtare. Aktualisht Paja ndodhet në Spitalin Ushtarak ku po merr mjekime pas plagëve të shumta që mori në trup si pasojë e përplasjes me armë me policët që po tentonin ta arrestonin. Paja rezulton të jetë arratisur dy herë nga burgjet italiane. Herën e parë ai ka lënë qelinë më 11 qershor të vitit 2006, kur me anë të çarçafëve ka rrëshqitur nëpër muret e burgut derisa kishte dalë në rrugë. Pas një muaji ka përfunduar sërish në pranga, por nuk ka qëndruar më shumë se dy muaj i burgosur, pasi ka përfituar nga një pakujdesi e policëve që e shoqëronin nga njëri burg në tjetrin dhe është larguar me vrap. Pas kësaj kishte mbërritur në Shqipëri ku në fshehtësi të plotë vazhdonte të merrej me trafik narkotikësh. Pak, para mesditës së 6 marsit dy policë të njësisë së operacioneve speciale kanë rënë në gjurmët e tij duke e ndjekur me një motoçikletë për ta vënë nën pranga ndërsa ai po lëvizte me një makinë me targa italiane. Pranë kryqëzimit të Farmacisë 10, në unazë ai ka qëlluar ndaj policëve duke plagosur njërin. Pas kësaj motoçikleta është përplasur me makinën e Pajës duke goditur sërish policin Blendi Haxhimali. Kolegu i tij ka qëlluar nga Pajës, të cilin e ka plagosur në gjoks. Pas kësaj, qytetarët e shumtë që ndodheshin aty kanë dërguar në spital, Haxhimalin dhe Pajën për të marrë ndihmë mjekësore. Aktualisht shëndeti i policit Haxhimali paraqitet i rënduar, ndërsa Paja po merr mjekime nën mbikëqyrjen e rreptë të specialëve të Policisë së Burgjeve. fa.ma.