E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia ndez dritën jeshile për kompromis me Greqinë

“Jemi të gatshëm për kompromis me Greqinë në bazë dypalëshe, sepse kjo çështje është kontest i pastërt dypalësh”, - kjo ka qenë deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Antonio Milloshoski, për radion BBC, i cili i është përgjigjur apelit dhe kërcënimeve të ministres së Jashtme greke, Dora Bakojanis, për kompromis ose në të kundërt Greqia do të pengonte anëtarësimin e Maqedonisë në NATO me anë të vetos. Por Bakojanis në fjalën e saj i është drejtuar edhe Shqipërisë, e cila ka kaluar provimin e “shqyrtimit individual” duke i kërkuar të ndërmarrë më shumë hapa në fushën e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Këto hapa, sipas saj, do t’i shërbenin vendit fqinj për sigurinë e marrjes së ftesës në Bukuresht. Ajo ka sqaruar se situata e krijuar me Maqedoninë është përgjegjëse për qëndrimin negativ edhe ndaj Shqipërisë dhe Kroacisë. “Politika që ndjek vendi fqinj në marrëdhëniet me Greqinë për fat të keq nuk na lejon që të mbajmë qëndrim pozitiv si me Kroacinë dhe Shqipërinë”, - tha Bakojanis duke bërë fjalë për “logjikë nacionaliste” në veprimet e fqinjit të saj, që bien ndesh me parimin e “fqinjësisë së mirë të një vendi kandidat ndaj një anëtari të vjetër të NATO-s, siç është Greqia”. Në lidhje me këto deklarata, ministri maqedonas Miloshoski ka theksuar se konflikti nuk ekziston me asnjë vend tjetër përveç Greqisë dhe me këtë rast qeveria maqedonase është e gatshme të bisedojë për gjetjen e një zgjidhjeje me të cilën do të mund t’i drejtohet Greqia në të ardhmen dhe që do të jetë ndryshe nga emri aktual. I pyetur nëse kjo do të ndodhë para samitit të NATO-s muajin e ardhsëm në Bukuresht duke marrë parasysh se Greqia ka kërcënuar me veto, Milloshoski është shprehur se kjo varet nga të dyja palët. “Ne do të tentojmë por kjo nuk varet vetëm nga ne, por nga të dyja palët. Problemi është që Greqia tenton me shantazh të imponojë ndonjë zgjidhje, por kjo nuk do të kontribuojë për zhvillimin produktiv”, - u shpreh Milloshoski. Ai ka shprehur mendimin se kundërshtimet e Greqisë nuk i përkasin anëtarësimit në NATO, por emrit kushtetues. “Ne jemi të lumtur që NATO nuk është organizatë që merret me emërtimin e shteteve, por është diçka shumë më tepër. NATO do të thotë stabilitet, siguri, demokraci dhe solidaritet i ndërsjellë dhe ndarje e ngarkesës së Aleancës. Maqedonia ka treguar se është “djali i mirë” në rajon pas shpalljes së pavarësisë 17 vjet më parë dhe jemi të lumtur që në atë kohë nuk ndodhi asnjë konflikt mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Mendoj se Greqia është shumë më tepër e frymëzuar nga shkaqet vendore politike sesa nga ndonjë mendim racional për stabilitetin e rajonit”, - tha Milloshoski. Ndërkohë, ministrja greke Bakojanis është shprehur se vendosja e vetos nuk është një veprim që i pëlqen vendit të saj, por ajo do të funksiononte përsa kohë nuk do të arrihej një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.
“Nuk jemi të lumtur për këtë, asnjërit nuk i pëlqen e drejta e vetos. Përsa kohë nuk do të arrihet një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët, do të ekzistojë edhe një pengesë e pakapërcyeshme në ambicjen euroatlantike të vendit fqinj”, - u shpreh Bakojanis. Athina me tone të ulëta ka folur për mbështetje franceze dhe mirëkuptim gjerman nëse Maqedonia nuk do të pranonte që kjo çështje të zgjidhej nëpërmjet bisedimeve.

8 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›