Hajdutët i marrin 80 mijë euro dhe 70 mijë dollarë ish-drejtorit
Hajdutët kanë arritur të vjedhin një shumë të madhe parash në shtëpinë e një ish-drejtuesi të një ndërmarrjeje shtetërore në Fier. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Fierit, mbrëmjen e së hënës, në lagjen "29 nëntori" të qytetit, dy shtetas kanë hyrë në banesën e Ilir Dullës, ish-drejtor i Uzinës së Përpunimit të Naftës, dhe kanë marrë prej andej një sasi valute me vlerën e afro 17 milionë lekëve. Vjedhja, sipas burimeve policore fierake, dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 19:00, kur ish-drejtori i UPN-së dhe familjarët e tij nuk ndodheshin në shtëpi. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë Fier bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se rreth orës 22:30, 37-vjeçari Dulla ka njoftuar policinë se banesa e tij është vjedhur. Mësohet se ai kishte qenë me bashkëshorten dhe dy fëmijët në një lokal në periferi të Fierit, për të festuar Kurban Bajramin. I dëmtuari ka treguar për policinë se kishte ikur nga shtëpia pasdite dhe ishte kthyer rreth orës 22:00. "Sapo erdha dallova se dera ishte hapur me forcë. Menjëherë kontrollova në vendin ku mbaja paratë dhe konstatova se i kishin vjedhur të gjitha", ka treguar Dulla. Policia ka gjetur në vendin e ngjarjes gjurmë të autorëve të vjedhjes. Nga dëshmia e ish-drejtorit të UN-së policia ka marrë informacionin se hajdutët kishin marrë 80 mijë euro dhe 70 mijë dollarë. Ato ai i kishte fshehur në dollapin e dhomës së gjumit, dera e së cilit ishte hapur me forcë nga vjedhësit. Këta të fundit, sipas policisë, kanë qenë në dijeni të shumës së valutës që ish-drejtori mbante në shtëpi. Sipas burimeve të policisë së Fierit, pak pas marrjes së kallëzimit janë shoqëruar në komisariat dhe janë marrë në pyetje më shumë se dhjetë persona, banorë të lagjes ku jetonte ish-drejtori. Rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, policia ka rënë në gjurmët e një prej autorëve. Ai është Edmond Avdo, 41 vjeç, lindur e banues në Fier. Atij i është gjetur një pjesë e valutës së vjedhur në shtëpinë e Dullës, ndërkohë që provat dhe rrethanat e deklaruara nga ai e kthejnë Avdon në personin e dyshuar si një ndër autorët kryesorë të kësaj vjedhjeje. Po sipas policisë mësohet se Avdo e ka kryer vjedhjen në bashkëpunim me një person tjetër, të cilin policia e ka identifikuar dhe është duke e kërkuar. Ilir Dulla ka qenë drejtor i Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier deri në mesin e muajit nëntor të këtij viti. Burime nga Prokuroria e Fierit bëjnë të ditur se po kryen veprime verifikuese për të gjetur burimin e shumës së madhe të valutës që ish-drejtori 37-vjeçar kishte në shtëpi. Sipas burimeve nga prokuroria, Dulla ka qenë për shumë vite i papunë dhe duket e pamundur që ai ta ketë grumbulluar këtë shumë parash me rrogën që ka marrë vitet e fundit.