E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Shqiptarët blejnë artikuj me çmime të lira

Edhe pse stina (vera) ku produktet shqiptare sundojnë tregun ka përfunduar me kohë, niveli mesatar i çmimeve paraqitet në ulje, gati kontradiktor. Instituti i vetëm zyrtar i Statistikave publikoi dje Indeksin e Çmimeve të Konsumit për muajin nëntor 2008. Sipas INSTAT, çmimet e artikujve kryesorë të konsumit kanë arritur në 101.26 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007, duke shënuar një ulje prej 0.1 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Ndryshimi vjetor në muajin nëntor ose niveli i inflacionit është 2.6 për qind, shenjë pozitive për objektivin e Bankës së Shqipërisë. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.5 për qind, ndërsa sot është disa pijë përqindje më poshtë.

Ndërkaq, duke i ndarë në grupe, "ushqimet dhe pijet jo alkoolike" shënuan një rritje prej 0.1 për qind, me një ndikim prej 0.1 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 3.3 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet". Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të kastravecëve me mbi 50 për qind, patëllxhanëve me 49.2 për qind, specave me 39.1 për qind etj. Çmimet e disa zarzavateve të tjera shënuan ulje gjatë këtij muaji, si spinaqi 16.8 për qind, sallata jeshile 11.8 për qind, lulelakra 25.8 për qind etj. Indeksi në nëngrupin "fruta" shënoi një ulje prej 3.8 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të portokalltëve me 14.6 për qind, kivit me 11.5 për qind, mandarinave me 9.2 për qind, limonëve me 4.8 për qind, mollëve me 4.3 për qind, etj. Po në muajin nëntor, çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, "peshk" 1.6 për qind, "mish" 0.3 për qind, etj. Grupi i artikujve "Veshje dhe këpucë" shënoi një rritje prej 0.6 për qind, me një ndikim prej 0.03 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Mallrat e "luksit", pra pijet alkoolike dhe duhani, shënuan një ulje prej 0.1 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit u ul me 0.3 për qind.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›