Policët e Ballshit protestojnë para drejtorisë
"Nëse për 3 ditë nuk marrim një zgjidhje konkrete, do t‘i drejtohemi Ministrisë së Brendshme, Kryeministrisë dhe më pas grevës së urisë". Ky ka qenë ultimatumi i dhënë ditën e martë nga policët e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, të cilët e kanë zhvendosur protestën e tyre përpara Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Janë 88 punonjës policie, të cilët prej vitesh kanë ruajtur Kombinatin e Ballshit, por prej shtatë muajsh nuk paguhen dhe së fundmi u është komunikuar edhe largimi nga detyra. Protestuesit kanë kërkuar dje të kontaktojnë me kreun e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, Shemsi Premçi, për të mësuar çfarë është bërë për shlyerjen e shtatë pagave të prapambetura, por nuk mundën të merrnin takim me të. Ata kanë pohuar se do të vazhdojnë me përshkallëzim proteste deri në grevë urie.