Gratë e burgosura, ekspozitë në Tiranë
Gratë e burgosura prezantuan dje një ekspozitë të realizuar me punimet e tyre. Piktura të ndryshme të peizazheve natyrore, portrete të njëra tjetrës, apo punë dore ishin disa prej punimeve të prezantuara në ekspozitë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zhvilloi këtë aktivitet për gratë e burgosura, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Mbrojtja e të drejtave të grave në Shqipëri ishte tema kryesore e takimit të zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar. "Dy prej pikturave që kam realizuar, u përkasin dy muajve më parë. Piktura e parë është peizazh, një vend që e kam vizituar shpesh kur kam qenë e lirë, ndërsa tjetrën ia kam dedikuar shoqes time të qelisë", tha njëra prej të burgosurave. Punimet e paraqitura në këtë ekspozitë do dalin në shitje, ndërsa pritet që të ardhurat t‘u jepen fëmijëve të këtyre grave, si dhe shtëpive të fëmijëve. Përveç prezantimit të punimeve, gratë e burgosura realizuan edhe një shfaqje teatrale, ku nëpërmjet aktrimit përçuan mesazhin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, e sidomos të grave shqiptare. Ndër të tjera, dje, ato u ndjenë të lira të ndanin disa prej historive të jetës së tyre me të ftuarit, si dhe të prezantonin disa prej punimeve që i konsideronin si më të mirat.
sh.me.
sh.me.