E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shëndetësia bie dakord me firmën hungareze

Prioritet i monitorimit të situatës së gripit do të jenë rastet që paraqesin komplikacione pas infektimit nga AH1N1 apo virozat stinore. Konfirmimi nëse virusi do të pësojë mutacion apo nëse kemi kombinim të dy viruseve në të njëjtën kohë, do të jetë në qendër të vëmendjes së specialistëve të Laboratorit të Virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar marrëveshjen me një nga firmat më të njohura hungareze për furnizimin me vaksinën specifike të gripit të derrit. Deri tani në Shqipëri regjistrohen zyrtarisht 300 persona të prekur nga gripi i derrit, ndërkohë që gjashtë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Kohët e fundit në vendin tonë është rritur jo vetëm numri i të prekurve nga virusi AH1N1, por edhe fluksi i të infektuarve nga gripi i zakonshëm. Edhe pse numri i pacientëve të prekur nga virozat e stinës rritet nga dita në ditë, parashikohet që piku i të prekurve nga gripi dhe AH1N1, do të shënohet në muajin shkurt të vitit 2010. Një javë më parë autoritetet shëndetësore raportuan se në vendin tonë u shënua viktima e parë, që humbi jetën si pasojë e komplikacioneve nga gripi i derrit AH1N1.

SH. Me.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›