E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hajduti i 100 mijë dollarëve mbron shokun

04/12/2009  Lila: Vjedhjen e bëra me Flamur Hidën vrasësin e biznesmenit italian

I dënuari shkarkon shokun nga akuza në ballafaqimin në gjykatë

TIRANË – Pasi janë dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë gati pesë muaj më parë, tre të pandehurit e akuzuar për vjedhjen e 100 mijë dollarëve, rikthehen edhe një herë për ballafaqim. Gjykata e Apelit e prishi vendimin, duke veçuar çështjen për shtetasin Mentor Koka. Por rikthimi ka nxjerr edhe të papritura. Pikërisht në momentin kur gjykata është në marrjen e dëshmive, kanë dalë rrethana të reja. I pandehuri kryesor Fatjon Lila i dënuar me 12 vjet burg për vjedhjen e 100 mijë dollarëve në qendër të Tiranës ishte dje në sallën e gjyqit në një ballafaqim me të dënuarin në mungesë për vrasjen e biznesmenit italian Stefana Rosi në vitin 1998, Flamur Hida. Ballafaqimi u krye para të pandehurit Mentor Koka. Në seancën e djeshme të ballafaqimit para gjyqtares Fatmira Hajdari, Fatjon Lila ka ndryshuar deklarimet. Ai ka përjashtuar nga përgjegjësia për vjedhjen e dollarëve, të pandehurin Mentor Koka. “Unë ditën që kam grabitur paratë nuk kam qenë me Mentor Kokën. Unë dua të them se kam qenë vetëm me Flamur Hidën”. Këtë deklarim e ka përforcuar edhe dëshmitari i dytë, i cili ka qenë i pandehur në procesin e parë së bashku me Fatjon Lilën, Jashar Meta. Meta është dënuar për moskallëzim krimi. Ndërsa dje deklaroi se ditën e ngjarjes ka qenë në një lokal me Mentor Kokën dhe kanë parë me titra në televizion se çfarë kishte ndodhur. Dëshmia e djeshme ka lehtësuar pozicionin e të pandehurit Mentor Koka, i cili ishte dënuar më parë nga gjyqtari Martin Deda 10 vjet burg. Ata u dënuan për grabitjen me armë të agjencisë së këmbimit valutor ALAKS. Ndërkohë që Flamur Hida i njohur me emrin Lenci i Yzberishtit është dënuar në mungesë me 10 vjet burg për vrasjen e biznesmenit italian Stafano Rosi, që kishte një fabrikë këpucësh në Yzberisht. Arrestimi i Hidës u bë në maj të këtij viti. Ai ishte shpallur në kërkim që më 27 janar të vitit 1998. Flamur Hida sipas Fatjon Lilës e ka bërë vjedhjen e bankës në një kohë që ishte i shpallur në kërkim nga policia. Por nga ana e tij Hida është shprehur se nuk e kupton përse e bënë një dëshmi të tillë Lila. Ndërsa shtoi se gjithë këtë histori do të zgjidhë kur të dalë nga burgu.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›