E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk marrin pagesën e paaftësisë mijëra invalidë

04/12/2009  Në Korçë dhe Fier mungojnë fondet, pritet çelja e tyre

Në vështirësi shtresat më vunerable të shoqërisë, apel shtetit

KORÇE- 4000 invalidë të qytetit të Korçës, ku përfshihen invalidë, para- dhe tetraplegjikë si dhe të verbër, ende nuk kanë marrë pagesën e paaftësisë për muajin nëntor. Shuma në lekë për pagesën e një muaji shkon në 4 milionë lekë. Mospagesa për muajin nëntor e invalidëve u bë e ditur nga drejtoria e shërbimeve sociale pranë Bashkisë Korçë, Benila Terova, ku përmes një deklarate për shtyp theksoi gjithë problematikën e kësaj çështjeje, duke vënë gishtin, veçanërisht te fakti se kush ishte fajtori. Sipas Terovës, vonesa e pagesës së invalidëve nuk ishte shkaktuar për faj të bashkisë, pasi kjo e fundit kishte bërë gjithçka që ishte në përgjegjësinë e saj dhe do të bënte gjithçka që ishte e mundur, por që deri më tani nuk ia kishte arritur ta zgjidhte dot problemin. Në lidhje më këtë çështje, Terova u bëri të ditur jo vetëm invalidëve, por edhe gjithë qytetarëve, se ky faj rëndonte vetëm mbi Ministrinë e Financave, e cila ende nuk kishte çelur fondin për pagesat e muajit nëntor. Madje jo vetëm kaq, Terova vuri në dukje se nga ana e bashkisë së qytet, i ishin dërguar Ministrisë së Financave tre kërkesa zyrtare me shkrim, por deri më tani nuk kishin mundur të merrnin ndonjë përgjigje zyrtare. Ndërkaq Terova theksoi vështirësitë në të cilat gjendeshin invalidët, para-dhe tetraplegjikët si dhe të verbrit. Ndërkohë burime konfidenciale bënë të ditur për gazetën “Metropol” se çelja e fondit për pagesën e invalidëve do të realizohet shumë shpejt. Rreth 3200 invalidë të paaftë për punë të Bashkisë Fier prej më shumë se 2 muaj nuk kanë marrë pagesën e ndihmës ekonomike. Nga 1600 të paaftë për punë ku bëjnë pjesë të sëmurë mendorë, paraplegjikët, tetraplegjikët, vetëm 1/ 3 e tyre ka mundur të marrë ndihmën ekonomike. Që prej dy javësh të afërm të tyre sorollaten pranë zyrave të Bashkisë dhe rajoneve në pritje për të marrë ndihmën ekonomike. Familjarët e të sëmurëve thonë se gjendja e tyre ekonomike dhe ndihma ekonomike është e vetmja mundësi për të jetuar. “Kemi ardhur këtu qysh prej 2 javësh dhe na thonë se lek nuk ka”, - thotë një familjare që merr ndihmë ekonomike të djalit të sëmurë mendor. Komunat e kanë marrë ndihmën, Bashkia jo. Është e vetmja mundësi që ne të mbajmë frymën gjallë”. Familjarët shprehen se nuk u kanë dhënë asnjë mundësi ose datë reale se kur do t’i japin lekët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›