E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullimi i gjyqtares Balili, banda e Lushnjës nga Meçe

04/12/2009  Albert Meçe nis të gjykojë bandën

TIRANË – Gjyqtarja e Krimeve të Rënda Marsela Balili është larguar menjëherë dje, një ditë pas vendimit të KLD-së për t’i hapur rrugë hetimeve të Prokurorisë. Në seancën e radhës, kundër të pandehurve të bandës së Lushnjës, Marsela Balili, është zëvendësuar nga një gjyqtar penalist i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Trupën gjyqësore që shqyrton këtë çështje do të drejtoi gjyqtari Albert Meçe. Zëvendësimi është bërë i menjëhershëm dhe i diktuar nga rrethanat. Ndërkohë që emri i Meçes erdhi pas një vendimi delegues të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Banda e Lushnjës dje kishte seancën e radhës. Seanca ishte caktuar për t’u zhvilluar në orën 10. Ndërsa zgjati vetëm pak minuta. Marsela Balili e drejtoi procesin për më shumë se dy vjet. Që nga data 17 prill 2007 kur dosja u regjistrua, ka qenë në zyrën e Marsela Balilit. Janë zhvilluar 86 seanca gjyqësore. Ndërkohë që shtojmë se pjesa më e madhe e seancave janë shtyrë për arsye nga më të ndryshmet. Tashmë dosja do të merret në dorë nga gjyqtari Meçe, i cili nuk mundi dje të vazhdonte gjykimin. Pas zëvendësimit, gjyqtari hapi seancën gjyqësore dhe bëri paraqitjen e palëve. Pasi u njoh me palët në proces rezultoi se pala mbrojtëse nuk ndodhej në sallën e gjyqit. Në këto kushte seanca u shty për një datë tjetër. Të pandehurit në këtë proces janë Arben Borici, Ilr Stërgu, Afrim Hoxha, Erjon Cici, Arjan Alico, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina. Ata akuzohen për veprat penale të “vrasje me paramendim”, “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›