E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet "i piketuari" i Antimafias Italiane

11/04/2005  Marsel Melo shiti femra për 5 vjet. Marsela Tufa (e trafikuar) denoncon në polici

TIRANË- I cilësuari "i paprekshëm" për rreth pesë vite me radhë, bie në grackën e policisë. Shiste femra, blinte, kryente dërgesa. Për të u interesua jo vetëm Antimafia Italiane por edhe të dërguarit specialë të qendrës Antitrafik, në Europën Juglindore. Historia e tepelenasit Marsel Melo, filloi në të njëjtën periudhë kur miqtë e tij kishin kërkesa për sa më tepër femra, dhe ai ua dërgonte. Fundi i "karrierës" së tij, shënoi një sukses para dy ditësh, kur urdhër-arresti për të u firmos nga qendra Antitrafik në Vlorë, e cila e ndiqte prej kohësh. Madje, prokuroria e këtij rrethi e kishte dërguar dokumentacionin në Tiranë para disa javësh, kur filloi edhe gjurmimi i tij intensiv. Uniformat blu të Antitrafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, e arrestuan dy ditë më parë dhe pasi e mbajtën të paktën katër orë të izoluar, e dërguan të shoqëruar me furgona specialë në Vlorë. Mirëpo burimet policore thanë se ai do të gjykohet në Tiranë nga Krimet e Rënda, pasi për të janë të dokumentuara të paktën 3 denoncime për trafik femrash me qëllim prostitucioni.

Akuzat

Edhe pse për të rëndojnë disa akuza, burimet policore në Drejtorinë e Policisë së Tiranës thanë se dokumentacionin e plotë e disponon Qendra Antitrafik në Vlorë. Megjithatë, një nga vajzat e trafikuara prej Melos, sipas burimeve policore, është Marsela Tufa, e cila ka bërë denoncimin në polici. "Mund t iu them që dosja e tij është tepër e ngarkuar. Në të ka emra, fakte, qytete, etj. Shpresojmë që denoncimet në ngarkim të tij, të përfundojnë edhe në gjykatë"-tha burimi policor. Sakaq, hetimet e prokurorisë së Vlorës kanë hedhur dritë për një linjë trafiku të femrave Përtej Adriatikut, ndonëse Melo nuk ka qenë i vetëm, por i ndihmuar nga disa miq të tij, shumica e të cilëve jetojnë në Itali.

Precedenti

Vetëm tre ditë më parë, tre bashkëpunëtorë nga Fieri, Pogradeci e Berati, dërguan si prostitutë në Itali, një 31-vjeçare, katër vjet më parë. E kishin futur në kurth, i premtuan bashkimin familjar me bashkëshortin e saj në Itali dhe përfundimisht, ajo përfundon për 4 vjet në semaforët e Romës dhe Milanos. Burime nga Antitrafiqet thanë për gazetën se Z.B, 31-vjeçe, lindur në Pogradec, banuese në Tiranë, e martuar me katër fëmijë, u trafikua në Itali në vitin 2001 nga Robert Banaj, 35-vjeç, lindur e banues në Fier, i padënuar, Thëllëza Salihaj, 37-vjeçe, lindur e banuese në Fier, e padënuar dhe nga një person i tretë, nga Pogradeci, i cili tashmë ndodhet i lirë në Romë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›